Kriza vazhdon pa fund për Partizanin. Të kuqtë, edhe pse kaluan në avantazh në javën e 9-të të kampionatit, në fund u mposhtën 2-1 me përmbysje nga Elbasani, duke pësuar humbjen e gjashtë radhazi.
Elbasani përmbys Partizanin në “Elbasan Arena”
Në “Elbasan Arena” të parët shënuan miqtë nga kryeqyteti me Jovicic, por në minutën e 82-të Mazari barazoi shifrat, para se Ardit Nikaj t’i përmbyste ato. Një fitore dramatike për verdheblutë në ndeshjen e dytë nën drejtimin e trajnerit të ri Glen Daja, ndërsa të ardhurat e kësaj ndeshjeje do të shkojnë për kurimin e protestuesit të plagosur Erjon Vishkuli, i cili është edhe tifoz ultras i kësaj skuadre.
Për Partizanin kjo ishte disfata e gjashtë radhazi, që solli një rekord negativ për skuadrën e Karoglan. Nuk kishte ndodhur kurrë në historinë e Partizanit që pas fazës së parë, në 9 javë, të kishte vetëm 4 pikë dhe për më tepër të renditej i fundit.
Skënderbeu ndan pikët, Vora mposht Vllazninë
Në sfidën tjetër të orës 18:30 Skënderbeu ndau pikët me Laçin me barazimin 1-1, ndërsa më herët Vora mposhti 2-1 Vllazninë. Shkodranët vijojnë me ulje-ngritjet e mëdha në këtë sezon, teksa pas fitores me Tiranën u rikthyen shpejt te rezultatet negative.
Java e 9-të e kampionatit vijon të enjten me përballjet Tirana-Dinamo dhe Egnatia-Teuta.
Burimi: shqiptarja.com










