Kalo te përmbajtja

Lajme të shpejta, të verifikuara dhe të paanshme

Lajm i fundit
Politikë

Eva rrëfen goditjen me granatë gazi: dhuna nuk do të na thyejë

Eva rrëfen goditjen me granatë gazi: dhuna nuk do të na thyejë
Foto: lajmifundit.al

Episodet e ditës së parë të protestës vetëm sa i acaruan edhe më shumë protestuesit në ditën e dytë dhe gjatë gjithë ditëve të tjera të protestës. Ata nisën marshimet përreth qendrës së Tiranës. Një pjesë radikale e tyre shfryu zemërimin ndaj disa institucioneve, njëri pas tjetrit.

Ndryshe nga dita e parë, policia u tregua e tërhequr dhe pasive ndaj turmës që dëmtoi semaforët, koshat, billbordet, kioskat, bizneset apo vendqëndrimet e autobusëve. Edhe kjo strategji e uniformave blu u kritikua ashpër, pasi u konsiderua si një lëshim i qëllimshëm i situatës.

Eva Pango dhe dëshmia pas daljes nga spitali

15 tetori ishte një tjetër pikë kulminante e protestës dhe e panikut të dhunës së policisë ndaj protestuesve. Videot e Eva Pangos, e cila shoqërohej në spital me barelë, ishin për zemra të forta. Mes protestuesve qarkullonte fjalë më fjalë teoria më e keqe për fatin e të resë. Fatmirësisht, Eva po jep këtë dëshmi ekskluzive për Inside Story pas daljes nga spitali.

“Unë nuk kam bërë kurrë as hedhje guri, as hedhje granatash. Nuk e kam për natyrë, unë në natyrë kam retorikën”, u shpreh Eva Pango.

“Mua më ka rënë një granatë lotsjellëse cilindrike. Kjo ka qenë e zezë dhe cilindrike, jo ato klasiket. Goditja ishte drejt e në ballin tim. Më pas humba ndjenjat, sheshi u la me gjak dhe nuk mbaj mend më gjë”, u shpreh Eva.

Ajo tregon se stafi mjekësor bëri maksimumin, por flet edhe për problematikat e bluzave të bardha dhe mangësitë që kishin.

“Nuk mund të mohoj stafin për mënyrën se si janë sjellë. Sistemi me difiçitet e veta është tjetër gjë, njerëzit janë tjetër gjë. Reanimacioni ishte në gjendje shumë të keqe, kam qëndruar 3 ditë aty dhe u gëzova që dola në pavion. Ishte shumë problematik. Kishte vetëm një maskë oksigjeni dhe e aklonin dorë më dorë. Hiqja Lenës dhe ia vërja Prenës, shumë e rëndë, tjetri mund të vdesë kur ia heq oksigjenin. Pacientët duke vdekur në reanimacion, te muri bëheshin punime, unë e kisha kafkën e hapur dhe dëgjoja”, u shpreh Pango.

Shënjestrat e protestuesve dhe reflektimi i Evës

Grupi radikal i protestuesve, përveç fokusit kundrejt institucioneve, shënjestroi edhe biznese të ndryshme, të cilat i konsideron si afër qeverisë ose që kanë ndikuar për keq në jetën e tyre. Bankat e nivelit të dytë, kompanitë celulare dhe kompanitë e mikrokredive ishin shënjestrat e preferuara.

“Revolucion është fjalë e madhe, por jemi në kufijtë e një revolucioni. Çdo shpërthim pakënaqësie është akumulim i një momenti të caktuar. Ndonjëherë, kur kalon ai moment, zor se përsëritet më. E tillë ishte protesta e studentëve, ishte momenti për ndryshim të madh, u shua me lloj sabotimesh, të brendshme, të jashtme, fjeti për ca vite dhe ja ku jemi sërish. U rindez sërish. Nuk mund ta marrim këtë si një shkëputje nga revolta popullore”, u shpreh Eva Pango.

Për Evën, studentët dhe aktivistët që ndodhen në shesh, këto forma protestash duket tashmë sikur janë kthyer në një mënyrë jetese.

“Unë nuk do të heq dorë, nuk është se kam dalë nga spitali më e thyer dhe më e rënë. Kam dalë më e motivuar kur pashë se sa mbështetje dhe solidaritet kam marrë”, u shpreh protestuesja.

“Nuk të bën më përshtypje gjë dhe shumë protestues që janë rrahur do të dalin më të motivuar, sepse kur kanë provuar edhe drurin thonë se s’kemi për të humbur gjë. Nuk funksionon me dhunë me shqiptarët, ta harrojnë, sepse do u kthehet mbrapsht. Në spital shpresoj të mos kthehem më kurrë, në protestë do kthehem që çke me të”, u shpreh Eva Pango.

Burimi: lajmifundit.al

Të fundit Të gjitha