Kalo te përmbajtja

Lajme të shpejta, të verifikuara dhe të paanshme

Lajm i fundit
Politikë

Rama kthehet majtas dhe braktis të pasurit për të varfërit

Rama kthehet majtas dhe braktis të pasurit për të varfërit
Foto: shqiptarja.com

Më në fund Rama dha një përgjigje politike ndaj protestave që po e lodhin qeverinë, imazhin dhe nervat prej pesë muajsh. Ai paraqiti një paketë fiskale që është tërësisht një akt politik dhe duhet gjykuar vetëm si i tillë. Si kapiten i një anijeje që po merr ujë dhe po braktiset nga minjtë e brejtësit e tjerë që e strehonin deri dje, ai e ktheu timonin e saj majtas. Kërkoi të qëndrojë vetë i fundit në bord dhe hodhi në ujëra të panjohura oligarkët e super të pasurit e vendit, ndërsa ftoi me dëshpërim po në bord të varfërit, shumicën dërrmuese të popullsisë së vendit.

Oferta për të varfërit dhe ndryshimi i kursit

Ka edhe më shumë. Kjo është një ofertë për të varfërit dhe në filozofinë e saj ka ndreqjen e një prej mëkateve më të mëdha që është konsumuar në mënyrë kriminale e në heshtje gjatë këtyre viteve: shpërndarja tërësisht e padrejtë e pasurisë së krijuar mbi pasurinë e përbashkët, Shqipërinë, tek e cila janë të gjithë aksionerë. Është edhe më shumë se rikthimi i birit në shtëpinë natyrale të së majtës modeste si një playboy i lodhur nga aktrimi i gjatë si aristokrat evropian i të djathtës tradicionale.

Oferta e re e Ramës është një ndryshim kursi, është një ndryshim total i modelit të deritanishëm ekonomik. Është edhe një ushtrim muskujsh për çdo të papritur elektorale. Përfshi edhe zgjedhjet e parakohshme.

Mbetet të verifikohet sa dhe si do të aplikohen në praktikë këto masa dhe a ka edhe kohë në dispozicion për t’i jetësuar ato. Ato po merren pikërisht në kohën kur edhe vetë Rama është vënë në dijeni sesi disa nga “oligarkët” e tij po largojnë para cash nga Shqipëria. Dhe jo me çanta, jo me dyshekë apo llogari bankare, por me kamionë!

Pjesa financiare e këtij akti të guximshëm politik është shumë më tepër se aritmetikë fiskale. Ato kanë në thelb një filozofi të thjeshtë: paguan më shumë kush fiton më shumë! Dhe se mëshira sociale nuk del kurrë nga moda.

Masat fiskale dhe taksat për të pasurit

Ndoshta i bindur më së fundi se modeli ekonomik që ka instaluar deri më tani është në prag të kolapsit dhe është edhe një nga shkaqet kryesore të pakënaqësisë, Rama premton dy lëvizje bazë. Uljen e TVSH-së në ushqimet e shportës dhe premtimin për dyfishim të pensioneve. Shqipëria ishte vendi me normën më të lartë të TVSH-së në rajon për produktet e shportës. Me zbritjen e saj në 6 për qind nga 20 që ishte, Rama e çon atë në dyshemenë e poshtme, po krahasuar me vendet e rajonit. Kjo gjë çon automatikisht e logjikisht në uljen e çmimeve të atyre produkteve, çka shkon direkt në favor të shtresave më të margjinalizuara të shoqërisë: më të varfërit e të varfërve, pensionistët dhe ata me të ardhura shumë të ulëta, të cilët mund të kenë tashmë më shumë e më lirë në magjen e tyre vetjake miell, vezë, mish, peshk, bulmetra, vaj, sheqer, makarona e të tjerë, përfshirë edhe ushqimet bazë të foshnjave dhe frutat. Dhe nuk ndalet këtu, të parëve u premton edhe dyfishimin e lëmoshës sociale të deritanishme, pensionit, për ta çuar në një nivel minimalisht të pranueshëm.

Heqja e taksës së qarkullimit që viljej tek karburantet, së paku sipas Ramës sjell rreth 30 lekë më pak në çmim për to direkt tek pompa e benzinës, por në skajin tjetër të pasurit do të paguajnë supertaksë për makinat e tyre luksoze. Madje edhe ujin e pishinave, që e mbushnin me raste edhe me shampanjë, do ta paguajnë shumëfish më shumë. Më tej akoma, vilat në bregdet e shtëpitë e tyre bosh do të taksohen më shumë dhe do të kushtojnë më shtrenjtë. Taksa dyfishe për dividentin, rritja e normës së përgjithshme të TVSH-së, e tatimit për hotelet me pesë yje e më pak edhe për agroturizmin, janë vijimi i menusë së hidhur për të pasurit.

Deri dje, duke u sjellë si CEO i përgjithshëm i bizneseve më të mëdha në vend, Rama besonte ndoshta sinqerisht se Shqipëria dukej seksi vetëm përmes bilanceve të tyre financiare. Duke lënë të kënaqur një grusht minimal individësh, ai besonte se ata mund të shërbenin edhe si hambar elektoral i tij me fakirët që punonin për ta. Kur jepte leje për ndërtim getosh luksi në bregdet, me klientë të dedikuar ose grabitësit e administratës së tij, ose njerëz me të shkuar e të ardhura kriminale, kur u falte plazhin dhe taksat si investitorë strategjikë, besonte se shumica dërrmuese e popullsisë duhej t’i shihte ato si model zhvillimi. Të varfërit refuzuan ta bëjnë. Ndaj Rama vendosi më në fund ta shohë Shqipërinë përmes syve të tyre.

Opozita u ngrit në bllok ndaj kësaj lëvizjeje të papritur. Instikti i saj i mohimit të gjithçkaje që vjen nga zyrat e qeverisë dhe jo korrigjimit apo pjesëmarrjes në të, e lë opozitën në rastin më të mirë në një pozicion qesharak dhe kundërshtues ndaj përfituesve të mundshëm të kësaj pakete. E vë paradoksalisht përballë të varfërve që janë dhe shumica dërrmuese e shqiptarëve. Në llogari të fundit, edhe njëherë Rama që po i sheh sot të gjithë yjet në pozicion agresiv kundër tij, mund t’i lutet ende yllit të mbarë që i ka falur një opozitë të tillë. Një opozitë të cilën, me kusht që të mos i ndodhin aksidente të tjera domethënëse në rrugën e SPAK-ut, me gjasë do ta sfidojë edhe me zgjedhje të parakohshme. Duke mbajtur në dorë flamurin e të varfërve, kundër të pasurve që vetë i krijoi.

Burimi: shqiptarja.com

Të fundit Të gjitha