Për një kohë të gjatë, që nga nisja e Revolucionit Flamingo e deri në protestat e ditëve të fundit, organizatorët e këtyre nismave e kanë shikuar qartësinë politike si një rrezik të mundshëm. Ideologjitë dhe ndarjet mes “të majtës” dhe “të djathtës” u mbajtën larg deri në ditët e fundit, me qëllim që të ruhej uniteti në betejën kundër sistemit.
Paradoksalisht, ky vendim po sjell tashmë pikërisht atë përçarje që synohej të shmangej.
Sali Berisha dhe akuza ndaj Flamingove
Sali Berisha sulmoi sot hapur Flamingot dhe Lëvizjen Bashkë, duke i cilësuar si ideatorë të sloganit “Rama n’Burg, Berisha n’Burg”. Të dyja këto grupe shprehen se Berisha dhe PD po kërkojnë të kapin protestën për interesa të tyre politike. Në të njëjtën kohë, “Forumi për Dialog Politik”, një nismë ku mbizotërojnë figura të lidhura me Partinë Demokratike, saqë një vëzhgues i jashtëm e ka të vështirë të dallojë ku mbaron njëra dhe ku fillon tjetra, ka deklaruar sot përmes iniciatorit të saj se po punohet që brenda pak muajsh të kthehet në parti.
Asnjë prej këtyre nuk përbën befasi. E vetmja gjë befasuese është se mes grupeve organizuese të protestës mund të ketë pasur njerëz që kanë besuar vërtet se mbajtja e lëvizjes sa më gjatë në paqartësi politike do t’i ndihmonte të qëndronin të bashkuar. Suksesi i vetëm i kësaj strategjie ka qenë shtyrja sa më gjatë e konflikteve.
Ekziston sigurisht një kundërshembull, jo shumë larg nesh. Lëvizja studentore serbe ndoqi një strategji deri diku të ngjashme, duke ruajtur një koalicion të gjerë ideologjik dhe duke u përqendruar kryesisht te çështje si korrupsioni dhe transparenca e institucioneve, ndërsa shmangi ato tema që mund t’i përçanin mbështetësit e tyre. Nga ana elektorale, ishte një strategji fituese, pasi Lista Studentore mposhti në zgjedhje bllokun e udhëhequr nga ish-Presidenti Aleksandar Vuçiç. Partitë e opozitës tradicionale ose u tërhoqën për të përkrahur studentët, të cilët gëzonin popullaritet më të madh, ose vendosën të garonin më vete. Në të dyja rastet, dolën të humbura pasi nuk arritën të siguronin asnjë ulëse në parlament.
Dallimi me opozitën serbe dhe roli i Berishës
Megjithatë, ekziston një dallim thelbësor mes opozitës tradicionale në Serbi dhe asaj tonës. Atje, opozita ishte aq e interesuar që Vuçiç të humbiste, saqë ishte e gatshme të rrezikonte edhe rëndësinë e vetë politike. Tek ne ndodh e kundërta.
Berisha nuk e ka luksin të tërhiqet, sepse një lëvizje protestuese vërtet autonome, e aftë të shndërrohet në opozitën e vërtetë të vendit, rrezikon t’i marrë nga duart rolin për të cilin lufton prej vitesh: atë të monopolit të opozitës. Njëkohësisht, nuk ka ndonjë interes të kthehet në liderin e vërtetë të saj, sepse do të dekonspirohej problemi që e ndjek prej vitesh: është shumë më i aftë të ruajë opozitën sesa ta çojë atë drejt pushtetit. Pra, nëse protestuesit fitojnë pa të, e bëjnë të panevojshëm, dhe nëse humbasin nën drejtimin e tij, e ekspozojnë si të painteresuar për të ardhur në pushtet. Prandaj, pozita më komode për të është kjo që ka tani: të jetë mjaftueshëm brenda protestës për ta dominuar atë dhe njëkohësisht mjaftueshëm jashtë saj për të mos mbajtur përgjegjësi për rezultatin.
Por këtu problemi nuk është vetëm Berisha. Ai thjesht po lufton për të mbrojtur hapësirën e vet politike. Pyetja është se përse protesta ia ka bërë kaq të lehtë?
Fiksimi i grupeve organizatore me unitetin dhe mospërçarjen po iu kushton tashmë shtrenjtë. Duke refuzuar çdo lloj definimi ideologjik dhe politik, ata i kanë lënë hapësirë kujtdo që të hyjë brenda, ndoshta sepse interesi më i madh për ta ka qenë masiviteti dhe shtimi i radhëve. Problemi është se aktorët më me përvojë dhe me kontigjentet më të disiplinuara do të merrnin gradualisht avantazhin, dhe ky aktor nuk mund të ishin as Flamingot dhe as studentët, por PD, e cila me gjithë rrjedhjet dhe problemet e saj të brendshme, mbetet partia kryesore e opozitës.
Ironia brutale është se përpjekja kaq e madhe për të shmangur ndasitë politike brenda protestës bëri që partia më e madhe e opozitës të “infiltrohej” në radhët e saj duke e dominuar atë deri në pikën ku protesta po përjeton një përçarje edhe më të thellë sesa do të kishte përjetuar po të shpallte qysh në fillim kufijtë e saj politikë.
Studentëve serbë iu funksionoi aleanca përtej bindjeve politike, edhe ngaqë opozita tradicionale ishte deri diku e gatshme t’u lironte rrugën, sepse objektivi ishte të fitonin, edhe nëse kjo nënkuptonte një irelevancë të përkohshme politike për ta.
Protestuesit tanë provuan të njëjtin eksperiment, por me një lider opozite që ka një mori arsyesh të frikësohet nga pasojat e një tërheqjeje.
E gjithë koha e shpenzuar për të ruajtur unitetin, nga frika e zvogëlimit të protestës, në fakt vetëm sa u dha kohë grupeve më të organizuara të zinin sa më shumë hapësirë brenda saj. Tani që përplasjet po dalin hapur, lëvizja po përçahet gjithsesi, vetëm se në kushte më të pafavorshme për ata që mendonin se po mbronin unitetin.
Burimi: shqiptarja.com










