Kalo te përmbajtja

Lajme të shpejta, të verifikuara dhe të paanshme

Lajm i fundit
Ekonomi

Paketa Fiskale 2027, Rama prezanton 10 pikat kryesore

Paketa Fiskale 2027, Rama prezanton 10 pikat kryesore
Foto: lajmifundit.al

Kryeministri Edi Rama ka paraqitur dhjetë pikat kryesore të Paketës Fiskale për vitin 2027, duke bërë me dije ndryshime në taksimin e dividendit, të pronave dhe të automjeteve luksoze.

Në mesin e masave të publikuara është edhe ngritja e një Byroje të Specializuar për kontrollin e të ardhurave, si dhe nisma që, sipas Ramës, kanë për qëllim lehtësimin e barrës për familjet dhe ngushtimin e hendekut social.

“Për herë të parë në histori, buxheti i shtetit shqiptar kalon pragun e 10 miliardë eurove. Edhe vetëm kjo shifër mjafton për t’u thënë të gjithë atyre që duan ta mbulojnë dritën e progresit të Shqipërisë me shoshën e urrejtjes dhe të xhelozisë, se Shqipëria rritet dhe ekonomia e saj gjithashtu. Ndërkohë që borxhi publik i Shqipërisë ka rënë në një prag të poshtëm historik po ashtu.

Nuk e them unë, nuk e themi ne, e thonë të gjitha shifrat dhe faktet e institucioneve financiare ndërkombëtare, se ekonomia shqiptare vazhdon të jetë ndër më dinamiket në rajon, me një ecuri të lartë dhe të qëndrueshme, dhe me rritje të nivelit të të ardhurave reale për të gjitha shtresat e popullatës.

Prekja e pragut prej 30 miliardë eurosh të Prodhimit të Përgjithshëm Kombëtar, kur 10 vjet më parë ky prodhim ishte te 10 miliardë eurot, e ilustron besnikërisht panoramën optimiste të ekonomisë.

Prandaj ne Buxhetin e vitit 2027 dhe Programin Buxhetor Afatmesëm, i cili përkon me pjesën e dytë të mandatit tonë pikërisht 2027-2029, kemi planifikuar një sërë masash shumë ambicioze të politikës ekonomike, fiskale dhe sociale. Mesazhi im është shumë i qartë, besoj për të gjithë:

Ne duam më shumë biznese, më shumë kompani, më shumë investime private të vogla e të mëdha, vendase e të huaja. Ne duam po ashtu sa më shumë njerëz të pasur në Shqipëri, sepse problemi nuk janë asnjëherë të pasurit, por është hendeku mes atyre që kanë shumë dhe atyre që kanë shumë pak.

Prandaj ne mbetemi partizanë të taksimit të ndershëm, kush fiton më shumë paguan më shumë, dhe jemi këtu për të zbutur sa të mundemi hendeqet sociale që krijon transformimi i shpejtë ekonomik.

Lajmi i parë në radhën e lajmeve të mira që kam sot për familjet e zakonshme të këtij vendi është se falë pikërisht rritjes së ekonomisë e të mundësive, jemi gati për një hap të shumëdëshiruar dhe të shumëpritur për të gjitha familjet e zakonshme:

Masat për ushqimet bazë dhe TVSH-në

  1. Ulim normën e TVSH-së për ushqimet bazë – nga 20% në 6% për 54 produkte, ku përfshihen mes të tjerash mishi, peshku, bulmeti, vezët, mielli, vajrat, sheqeri, makaronat, frutat, perimet dhe ushqimet bazë për foshnjat. Vetëm me këtë lëvizje, ne shtojmë në arkën e familjeve shqiptare rreth 150 milionë euro në vit për ushqimin, që deri më sot i kalonin shtetit përmes TVSH-së 20%. Nga ana tjetër, praktika e re e Pasqyrës së Çmimeve do të zgjerohet e fuqizohet, për të garantuar që ulja domethënëse e çmimeve të shportës të jetë e mbrojtur nga abuzuesit e mëdhenj.
  2. Rrisim me 1% normën standarde të TVSH-së si një kompensim i ndershëm kontributesh nëpërmjet rishpërndarjes ose, e thënë ndryshe, për të gjitha mallrat jashtë shportës të gjithë ne do të kontribuojmë që shporta për ata që e kanë më të vështirë fundin e muajit të jetë e garantuar si një shpenzim i arsyeshëm.
  3. Nuk rrisim normën e tatimit të fitimit të sipërmarrjes, e cila mbetet 15% ose, e thënë ndryshe, në nivelin më të lartë në rajon – dëgjojeni mirë, ndryshe nga sa ju rrokanisin ekranet e korruptuara dhe portalet e paguara, ne i tatojmë të mëdhenjtë, pra biznesin e madh, me normën më të lartë në Ballkanin Perëndimor prej 10 e më shumë vitesh. Por sot rrisim ama në normën më të lartë që ka rajoni edhe tatimin mbi dividentin e tyre, i cili duke shkuar nga 8% në 15%, i ngarkon biznesmenët e mëdhenj me një taksë më të ndershme mbi fitimin e tyre, në funksion përsëri të lehtësimit të atyre që kanë më pak.
  4. Ulim barrën tatimore – më vjen natyrshëm buzëqeshja sepse janë 32,000 tatimpagues që janë pjesë vitale e shtresës së mesme që e kërkojnë prej kohësh këtë lëvizje – rritjen e pragut të sipërm të tatimit mbi pagën, nga 200 mijë në 300 mijë lekë të reja. Këtë lëvizje nuk na e lejonte ekonomia deri dje, sot rritja e ekonomisë na jep mundësinë.
  5. Nga ana tjetër, vendosim një prag të ri të tatimit mbi pagën 700 mijë lekë të reja, ku norma e tatimit bëhet 30%, në radhë të parë si një instrument për të mbyllur shtegun e evazionit të dividentit.

Biznesi, hoteleri dhe ekonomia digjitale

  1. Po ashtu, ulim pragun e aplikimit të TVSH-së për çdo biznes me xhiro vjetore mbi 5 milionë lekë, pasi nuk mund të lejojmë që shumë biznese të vogla të vazhdojnë të abuzohen duke i shërbyer si guacka bizneseve të mëdha për t’u fshehur. Kjo lëvizje duhet të shërbejë si paralajmërim edhe për bizneset nën 5 milionë lekë, që të mos luajnë me faturat e të mëdhenjve, nëse nuk duan të hyjnë në regjimin e TVSH-së vitin e ardhshëm. Ndërkohë, qëndron i paprekur zotimi ynë publik, taksa zero mbi fitimin për të gjithë biznesin e vogël deri në vitin 2029.
  2. Rrisim edhe normën e TVSH-së në hoteleri nga 6% në 10%, duke përjashtuar nga kjo rritje agroturizmin. Është një masë që duhet të jetë një mesazh për pronarët e hoteleve, nga të cilët kërkohet formalizim në kushtet kur të ardhurat e tyre rriten dhe vetëm rriten e rriten çdo vit.
  3. Ka ardhur koha e një sistemi të ri taksimi të ekonomisë digjitale, duke filluar nga ata që jetojnë goxha mirë dhe jam shumë i lumtur për këtë, me llajke e follëer-sa dhe duke vazhduar me tregtinë e mirëfilltë digjitale, për të cilat po përgatitet një projekt i veçantë nga Ministria e Financave. Paralelisht po punohet në ligje e vendime të tjera, edhe për disa masa të reja që shkojnë po në këtë drejtim, solidaritet me ata që e ndjejnë më shumë presionin e rritjes së kostove të jetesës nga rritja ekonomike dhe nga zhvillimi i shpejtë ekonomik që krijon vetvetiu pastaj hendeqe dhe ne duhet të jemi aty për t’i ngushtuar. Një super-taksë prone për ata që blejnë e mbajnë apartamente bosh, duke refuzuar t’i japin me qera (është e drejta e tyre, po duhet të paguajnë njësoj siç po bëjnë në disa vende të tjera të Europës që po përballen me koston e rritur të apartamenteve); një super-taksë prone për vilat në bregdet, edhe ata duhet të paguajnë më shumë për pronën e tyre dhe një çmim i shumëfishuar për ujin e pishinave. Kjo shkon në një tjetër ligj, ndërsa në këtë paketë fiskale do të ketë edhe një super-taksë për makinat e luksit.
  4. Ndërkohë, pranë Ministrisë së Financave do të krijohet edhe Byroja e Kontrollit të Specializuar të të Ardhurave, për faktin se formulari i deklarimit të të ardhurave do të ndryshojë sipas formatit të shteteve të Bashkimit Europian ose, e thënë më thjeshtë, për të gjithë individët me të ardhura relativisht të larta do të jetë shumë i ngjashëm me formularin e deklarimit të pasurisë që mbushin prej vitesh të gjithë funksionarët publikë.
  5. Këtë e lashë të fundit në radhë, sepse është një tjetër lajm i shumëpritur nga shumëkush, të cilin përsëri duhet ta mbani mirë parasysh, nuk e sjell dëshira e qeverisë, as dëshira ime – se dëshirën e kemi pasur gjithnjë – por e sjell rritja e ekonomisë: Do të heqim taksën e qarkullimit nga çmimi i naftës dhe do ta ulim automatikisht 32 lekë në pompë çmimin e naftës, ndë

Burimi: lajmifundit.al

Të fundit Të gjitha