Kalo te përmbajtja

Lajme të shpejta, të verifikuara dhe të paanshme

Lajm i fundit
Ekonomi

Komunat e Maqedonisë shpallën tenderë 356 milionë euro në 2025, Tetova në krye

Komunat e Maqedonisë shpallën tenderë 356 milionë euro në 2025, Tetova në krye
Foto: albeu.com

Gjatë vitit 2025, komunat në Maqedoni, bashkë me Bashkinë e Shkupit, nënshkruan 4,300 kontrata të prokurimit publik, me një vlerë totale rekord prej 21.9 miliardë denarësh, që i përgjigjet 356 milionë eurove.

Sipas hulumtimit të Qendrës për Komunikime Qytetare, shuma e tenderëve në vitin zgjedhor ishte pothuajse dyfishi i vitit paraardhës dhe përputhej me vlerën e bashkuar të dy viteve të mëparshme.

Komuna e Tetovës kryeson për nga vlera e tenderëve

Në krye të listës për vlerën e përgjithshme të prokurimit publik u rendit Komuna e Tetovës, me 22.5 milionë euro. Në anën tjetër të spektrit qëndron Komuna e Nagoriçanit të Vjetër, e cila lidhi kontrata me vlerë nën gjysmë milioni euro.

Tetova shënoi gjithashtu rritjen më të madhe vjetore të vlerës së tenderëve, e cila arriti deri në 20 milionë euro. Ndërkohë, Strumica pati rënien më të theksuar, pasi vlera e prokurimit publik atje u ul me gjashtë milionë euro.

Për të dytin vit radhazi, Bashkia e Shkupit nuk është komuna me vlerën më të lartë të prokurimit publik. Pasi u rendit në vendin e gjashtë vitin e kaluar, këtë vit ajo zbriti në pozitën e 14-të, me tenderë në vlerë prej 8.5 milionë eurosh.

Shpenzimet për banor dhe përqendrimi i kontratave

Në bazë të shpenzimeve për banor, Çairi kryeson me 2,381 euro për kokë banori. Vlerën më të ulët e ka Qendra Zhupa, ku prokurimi publik arrin vetëm 12 euro për kokë banori.

Të dhënat e hulumtimit tregojnë se gjatë vitit të kaluar komunat lidhën kontrata të prokurimit publik me 1,185 kompani. Megjithatë, vetëm dhjetë kompani përfituan më shumë se një të katërtën e vlerës së përgjithshme të tenderëve lokalë.

Kontratat me vlerën më të madhe totale iu dhanë kompanisë “Zhikol” nga Strumica, me marrëveshje që kapin shumën prej një miliard denarësh, ose rreth 16 milionë euro.

Qendra për Komunikime Qytetare publikoi hulumtimin dhe bazën e të dhënave për prokurimin publik të komunave gjatë vitit 2025. Në bazën e posaçme të të dhënave javninabavki.opendata.mk janë të qasshme edhe të dhënat për prokurimin publik komunal nga viti 2015 e deri më sot./Telegrafi/

Burimi: www.albeu.com

Të fundit Të gjitha