Së paku 36 shtete pritet të marrin pjesë në Festivalin Evropian të Këngës, “Eurovision 2027”, i cili do të mbahet në Bullgari, sipas njoftimit të Unionit Evropian të Transmetuesve (EBU), organizator i këtij konkursi.
Lista fillestare e pjesëmarrësve u prezantua në Gjenevë, megjithatë mbetet e paqartë nëse Spanja dhe Sllovenia do të jenë pjesë e tij.
Transmetuesit publikë të të dy vendeve kanë kohë deri në dhjetor për të marrë vendimin përfundimtar.
Edhe Islanda ka kërkuar më shumë kohë për të vendosur.
Të tria vendet bojkotuan “Eurovision”-in e vitit 2026, që u zhvillua në Vjenë, si shenjë proteste kundër luftës në Gaza dhe pjesëmarrjes së Izraelit në konkurs.
Bojkoti dhe rikthimet
Ndërkohë, Irlanda dhe Holanda kanë bërë të ditur se do ta bojkotojnë sërish “Eurovision”-in në vitin 2027, për të njëjtat arsye.
Të dyja vendet nuk morën pjesë as në edicionin e këtij viti.
“Eurovision”-i i ardhshëm do të sjellë edhe pjesëmarrës të rinj dhe rikthime.
Kanadaja pritet të marrë pjesë për herë të parë në konkurs, ndërsa Maqedonia e Veriut do të rikthehet pas disa vitesh mungesë.
Drejtori i “Eurovision”-it, Martin Green, tha se konkursi i bashkon njerëzit përmes muzikës, pavarësisht dallimeve mes vendeve, gjuhëve dhe kulturave.
Ndikimi në industrinë muzikore
Sipas EBU-së, konkursi vazhdon të ketë ndikim edhe në industrinë muzikore.
Këngët e 35 vendeve pjesëmarrëse në edicionin e vitit 2026, arritën afro 600 milionë dëgjime në platformat muzikore dhe videot online gjatë periudhës janar-gusht.
Kënga fituese e vitit 2026, “Bangaranga”, e kënduar nga Dara, kryesoi renditjen muzikore në 11 vende, u rendit në pesëshen e parë në pesë vende të tjera dhe hyri në dhjetëshen e parë në pesë të tjera.
Edicioni i 71-të i “Eurovision”-it do të zhvillohet në maj 2027 në qytetin e Burgasit, në bregdetin bullgar të Detit të Zi./atsh/KultPlus.com
Burimi: kultplus.com










