Kalo te përmbajtja

Lajm i fundit
Kulturë

Rrugëtimi prekës i krijuesit të Rent, nga shënimet e para te suksesi i pashijuar

Rrugëtimi prekës i krijuesit të Rent, nga shënimet e para te suksesi i pashijuar

Tri dekada pas shfaqjes së parë të “Rent”, shënimet, dorëshkrimet dhe dokumentet e Jonathan Larsonit hedhin dritë mbi historinë e brendshme të një prej muzikalëve më me ndikim të teatrit amerikan. Përtej këngëve që u bënë pjesë e repertorit të Broadway-it, këto materiale ruajnë çastet kur idetë morën formë, personazhet fituan thellësi dhe një vizion artistik u shndërrua në një vepër që vazhdon të flasë për dashurinë, humbjen dhe përkatësinë.

Në Bibliotekën e Kongresit në Washington, rreth 15 mijë materiale të lëna nga kompozitori dhe libretisti amerikan ofrojnë një vështrim të rrallë mbi procesin e tij krijues. Në prag të koncertit përkujtimor për 30-vjetorin e “Rent”, ku pritet të ribashkohen anëtarë të kastit origjinal, gazetari Matt Stevens, në një artikull për The New York Times, ndalet te katër dokumente që ndriçojnë rrugëtimin e veprës, nga shënimet e para deri te vizioni që Larson dëshironte t’i përcillte publikut.

Larson ndërroi jetë në vitin 1996, vetëm disa orë para shfaqjes së parë paraprake të “Rent” në New York Theatre Workshop, pa arritur të përjetonte suksesin që do ta shoqëronte muzikalin. Megjithatë, arkivi i tij dëshmon për një krijues që synonte të afronte tingujt e muzikës pop me gjuhën e teatrit dhe të sillte në skenë histori që sfidonin paragjykimet e kohës.

Nga numrat te përvoja njerëzore

Një prej këtyre gjurmëve gjendet në fletët e mbushura me llogaritje për “Seasons of Love”. Përpara se shifra prej 525.600 minutash të bëhej një prej vargjeve më të njohura të muzikalit, Larson eksperimentonte me mënyra të ndryshme për ta shprehur kohën dhe domethënien e saj. Shënimet e tij përfshijnë ditët, javët dhe muajt e vitit, por edhe përpjekjen për t’i përkufizuar sekondat përmes mendimeve, ëndrrave dhe çasteve që mbeten me rëndësi. Në këtë kalim nga numrat te përvoja njerëzore shihet një prej ideve qendrore të veprës: jeta nuk matet vetëm me kohën që kalon, por edhe me atë që përjetohet brenda saj.

Një tjetër dorëshkrim ndjek zhvillimin e “One Song Glory”, këngës së Rogerit, muzikantit që kërkon të gjejë kuptimin e krijimtarisë së tij. Në variantet fillestare, kënga mbante titullin “My Right Brain” dhe përmbante imazhe të një udhëtimi përgjatë bregdetit të Kalifornisë, mes qiellit dhe zhurmës së oqeanit. Shumë prej këtyre vargjeve nuk u përfshinë në versionin përfundimtar, por shënimet zbulojnë procesin përmes të cilit Larson kërkonte zërin e personazhit, duke i dhënë formë zhgënjimit, vetmisë dhe dëshirës së tij për të lënë pas një krijim me domethënie.

Arkivi ruan gjithashtu biografinë e zgjeruar të Mimi Josefina Marquezit, një prej personazheve kryesore të “Rent”. Dokumenti zbulon një histori personale të shënuar nga trauma, marrëdhënie të ndërlikuara dhe kërkimi i vazhdueshëm për afërsi. Në shënimet anësore, Larson thekson nevojën e Mimi-t për t’u lidhur me të tjerët, duke e vendosur këtë dëshirë në qendër të portretit të saj. Përtej asaj që publiku sheh në skenë, biografia dëshmon për përpjekjen e autorit për t’i ndërtuar personazhet si njerëz me të kaluar, kundërthënie dhe nevoja emocionale.

Letra drejtuar Stephen Sondheim

Dimensioni shoqëror i muzikalit bëhet edhe më i qartë në një letër të datës 8 dhjetor 1994, drejtuar kompozitorit dhe libretistit Stephen Sondheim, të cilin Larson e konsideronte një prej figurave më të rëndësishme të teatrit muzikor. Në të, ai shpjegon synimin për të humanizuar personazhet që shoqëria i trajtonte si të huaj, përfshirë njerëzit që jetonin me HIV-in dhe personat e margjinalizuar për shkak të seksualitetit apo varësisë nga droga.

Larson dëshironte të largohej nga rrëfimet klishe që i paraqisnin njerëzit me AIDS vetëm përmes tragjedisë së sëmundjes. Në vend të kësaj, ai synonte t’i tregonte duke jetuar jetën e tyre, duke dashuruar dhe duke kërkuar lidhje me të tjerët. Në këtë letër përmblidhet edhe një prej qëllimeve themelore të “Rent”: ta zhvendosë vëmendjen nga paragjykimi te përvoja njerëzore dhe ta bëjë publikun të shohë përtej ndarjes mes “nesh” dhe “atyre”.

Të marra së bashku, këto katër dokumente e paraqesin “Rent” përtej formës së tij përfundimtare, duke zbuluar një vepër në procesin e vazhdueshëm të kërkimit dhe të rishkrimit. Siç vëren Cait Miller, specialiste e referencave muzikore në Bibliotekën e Kongresit, rëndësia e arkivit qëndron pikërisht te mundësia për të ndjekur zhvillimin e një krijimi, nga ideja fillestare deri te vepra që publiku njeh.

Tridhjetë vjet pas debutimit, trashëgimia e Jonathan Larsonit vazhdon të jetojë jo vetëm në muzikën e “Rent”, por edhe në gjurmët e procesit që e solli atë në jetë. Fletët e tij dëshmojnë për një autor që kërkonte një gjuhë të re për teatrin muzikor dhe një hapësirë skenike ku historitë e njerëzve të lënë në periferi të shoqërisë të mund të rrëfeheshin me dinjitet, ndjeshmëri dhe universalitet./KultPlus.com

Burimi: kultplus.com

Të fundit Të gjitha