Një shtetas 35-vjeçar u ndalua mbrëmjen e kaluar në Sarandë, në fshatin Shkallë, teksa po dërgonte me furgon 21 persona me origjinë nga Iraku dhe Irani në drejtim të Italisë, duke marrë për secilin prej tyre një shumë prej 2.800 eurosh.
Sipas njoftimit të policisë, në pranga ka rënë A. Z., 35 vjeç, me banim në Itali, i cili dyshohet se ka ofruar ndihmë për kalimin e paligjshëm të kufirit për këta 21 emigrantë.
Nga hetimet fillestare rezulton se emigrantët dyshohet se kanë hyrë në mënyrë të paligjshme në Shqipëri përmes kufirit tokësor me Greqinë, ndërsa synimi i tyre përfundimtar ishte Italia.
Operacioni policor “Tranzit 2”
Njoftimi i plotë i Policisë:
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Kufitare Sarandë, në vijim të operacioneve për goditjen e veprimtarisë kriminale të dhënies ndihmë për kalim të paligjshëm të kufijve shtetërorë, organizuan dhe finalizuan një tjetër operacion policor, të koduar “Tranzit 2”.
Në kuadër të këtij operacioni, u arrestua në flagrancë shtetasi A. Z., 35 vjeç, banues në Itali.
Ky shtetas u kap gjatë natës, në afërsi të fshatit Shkallë, duke transportuar me një automjet furgon, 21 shtetas me origjinë nga Iraku dhe Irani, të cilët dyshohet se kanë hyrë në mënyrë të paligjshme në Shqipëri, nëpërmjet kufirit tokësor me Greqinë.
Nga hetimet dyshohet se destinacioni final i emigrantëve ishte Italia dhe se pagesa për transportimin ishte 2 800 euro për secilin shtetas.
Në vijim të veprimeve procedurale, 21 shtetasit e huaj u proceduan në gjendje të lirë për veprën penale “Kalimi i paligjshëm i kufirit shtetëror”.
Vijojnë hetimet për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale dhe identifikimin e shtetasve të tjerë që mund të jenë të përfshirë.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Sarandës, për veprime të mëtejshme.
Burimi: euronews.al










