Kalo te përmbajtja

Lajme të shpejta, të verifikuara dhe të paanshme

Lajm i fundit
Teknologji

Robot shkakton aksident në kryqëzim dhe largohet nga vendngjarja

Robot shkakton aksident në kryqëzim dhe largohet nga vendngjarja
Foto: reporteri.al

TALIN, 29 tetor /ATSH-DPA/ – Disa persona kanë mbetur të plagosur në një aksident të pazakontë rrugor që ka ndodhur në Estoni.

“Një autobus urban është përplasur në një kryqëzim me një robot shpërndarjeje në kryeqytetin e vendit”, ka raportuar radioja estoneze.

Sipas të dhënave të grumbulluara nga kompania e transportit të Talinit (TLT), dyshohet se roboti i vogël i shpërndarjes nuk është ndalur në semaforin e kuq të hënën dhe ka hyrë në kryqëzim.

Kompania ka publikuar në rrjetet sociale një video të përplasjes.

Për të shmangur përplasjen, drejtuesi i autobusit ka frenuar papritur, duke bërë që disa pasagjerë që qëndronin në këmbë të rrëzohen.

Sipas kompanisë së transportit, deri në nëntë persona kanë mbetur të plagosur.

Ndërkohë, roboti i shpërndarjes është përplasur me forcë në anën tjetër të rrugës dhe më pas është larguar nga vendngjarja.

Robot shpërndarjeje dhe autobus në Talin

“Roboti u largua, nëse mund ta quajmë kështu. Ai thjesht vazhdoi të lëvizte pas përplasjes”, ka thënë Andrei Novikov, anëtar i bordit drejtues të TLT-së, për radion estoneze.

Pepe Aaviksoo, përfaqësues i kompanisë prodhuese të robotëve të shpërndarjes “Starship Technologies”, ka thënë se kompania ka kontaktuar policinë dhe ka nisur një hetim të brendshëm për të përcaktuar rrethanat e sakta të ngjarjes.

“Është jashtëzakonisht për të ardhur keq që ka ndodhur një aksident i tillë”, ka deklaruar Aaviksoo, duke shtuar se siguria ishte përparësia kryesore e kompanisë.

Robotët e “Starship” mund të transportojnë deri në 15 kilogramë ngarkesë në një distancë prej pesë kilometrash.

Në Estoni, ata lëvizin plotësisht në mënyrë të pavarur në trotuare për të shpërndarë produkte ushqimore, vakte të përgatitura ose pako.

Mjeti përdor disa kamera për të monitoruar mjedisin përreth.

Aksidenti i fundit i raportuar më parë mes një roboti shpërndarjeje dhe një autobusi kishte ndodhur në prill të vitit 2020. /Ad.Ab./ a.jor.

Burimi: ata.gov.al

Të fundit Të gjitha