TIRANË, 28 tetor/ATSH/ Durana Tech Park ka arritur të regjistrojë 88 kompani rezidente, ndërsa pesë kompani të tjera janë në proces vlerësimi. Rreth 52% e këtyre kompanive kanë kapital të huaj dhe parku numëron afërsisht 750 të punësuar, duke krijuar në një periudhë relativisht të shkurtër një ekosistem inovacioni që bashkon biznese shqiptare dhe ndërkombëtare.
Modeli virtual i funksionimit të këtij parku teknologjik shqiptar është vlerësuar pozitivisht edhe në nivel ndërkombëtar.
Durana Tech Park në Konferencën Botërore të Parqeve Shkencore
Shoqata Ndërkombëtare e Parqeve Shkencore dhe Zonave të Inovacionit (IASP) e ka zgjedhur Durana Tech Park si një nga modelet e suksesit mes parqeve teknologjike dhe shkencore nga e gjithë bota, për të prezantuar përvojën e tij në edicionin e 43-të të Konferencës Botërore të Parqeve Shkencore dhe Zonave të Inovacionit, e cila zhvillohet nga 27 deri më 30 tetor 2026 në Kanë të Francës.
Konferenca organizohet nga Sophia Antipolis, një nga ekosistemet më të konsoliduara të inovacionit në Evropë.
Ndërkohë që modeli virtual po prezantohet në arenën ndërkombëtare, Durana Tech Park po përgatitet për fazën e radhës: zhvillimin e infrastrukturës fizike. Më 26 tetor 2026, në kuadër të këtij procesi, u mbajt dëgjesa e parë publike për Vlerësimin Strategjik Mjedisor (VSM) të Planit të Detajuar të Zhvillimit të Parkut Teknologjik dhe Shkencor “Durana Tech Park”, që do të ndërtohet në Xhafzotaj, Bashkia Shijak. Kjo dëgjesë përbën një nga hapat e nevojshëm ligjorë dhe proceduralë për realizimin e projektit, me fokus përfshirjen e aspekteve mjedisore që në fazën e planifikimit të territorit.
Prezantimi i projektit dhe konsultimi me institucionet
Detajet e projektit dhe fazat e zhvillimit të Parkut u prezantuan nga Drejtoresha Ekzekutive e Durana Tech Park, Florensa Haxhi, ndërsa i pranishëm ishte edhe Zëvendësministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Erlind Sulo. Në fokus ishin aspektet mjedisore të projektit, të trajtuara nga ekspertja mjedisore e angazhuar për këtë qëllim nga Banka Botërore, në kuadër të mbështetjes që po ofron për zhvillimin e Duranës.
Konsultimi bëri bashkë përfaqësues të institucioneve qendrore dhe vendore, përfshirë Ministrinë e Mjedisit, Ministrinë e Ekonomisë dhe Inovacionit, bashkitë Shijak dhe Durrës, si dhe institucionet përgjegjëse për planifikimin territorial dhe infrastrukturën, si AKPT, AZHT, ARRSH, OST, OSHEE dhe operatorët e tjerë të shërbimeve publike. Në diskutime u përfshinë edhe përfaqësues të Bankës Botërore, bizneseve që operojnë në zonë, përfshirë Vertigo Free Zone dhe Nexus Park Tirana, institucioneve akademike dhe komunitetit vendas.
Plani i zhvillimit të Parkut përfshin aktualisht një sipërfaqe prej rreth 14 hektarësh. Gjatë prezantimit u shpalos koncepti i një hapësire të integruar, ku teknologjia, kërkimi shkencor, inovacioni dhe sipërmarrja do të ndërthuren me infrastrukturën dhe shërbimet mbështetëse. Krahas karakteristikave territoriale dhe infrastrukturore të zonës, u prezantua edhe perspektiva afatgjatë e projektit, e cila përfshin shqyrtimin e mundësive për zgjerim në pronat shtetërore të Korporatës Shqiptare të Investimeve, me synimin për të krijuar një distrikt më të gjerë inovacioni.
Sa i takon ndikimit që zhvillimi i Parkut mund të ketë në mjedis dhe në komunitetin përreth, prezantimi dhe diskutimet u përqendruan te biodiversiteti dhe habitatet natyrore, përdorimi i tokës, cilësia e ajrit dhe e ujërave, menaxhimi i mbetjeve dhe ndotja akustike. U shpalos se plani synon të sjellë përfitime përtej kufijve të Parkut, duke i shërbyer zhvillimit të të gjithë zonës, përmirësimit të infrastrukturës dhe krijimit të mundësive të reja për bizneset dhe komunitetin që jeton dhe operon në territorin përreth, si dhe duke i kushtuar vëmendje të veçantë mbrojtjes së mjedisit, përdorimit të qëndrueshëm të burimeve natyrore dhe përmirësimit të cilësisë mjedisore të zonës. Këto janë ndër çështjet që do të analizohen më tej gjatë procesit të Vlerësimit Strategjik Mjedisor, për të identifikuar ndikimet e mundshme që lidhen me zhvillimin e infrastrukturës së re.
Pas kësaj dëgjese, ku institucionet dhe grupet e interesit do të kenë mundësinë të paraqesin vërejtjet, shqetësimet dhe rekomandimet e tyre, të cilat do të merren në konsideratë gjatë përgatitjes së Raportit Paraprak të Vlerësimit Strategjik Mjedisor, procesi do të vijojë me dëgjesën e dytë publike, me qëllim përgatitjen e Raportit Përfundimtar dhe pajisjes me Deklaratën Mjedisore nga Ministria e Mjedisit.
Afati për paraqitjen e komenteve dhe rekomandimeve në këtë fazë nga institucionet, komuniteti dhe grupet e interesit është 5 nëntori 2026. Sugjerimet mund të dërgohen në adresën elektronike [email protected].
Kalimi nga funksionimi virtual drejt ndërtimit të infrastrukturës fizike shënon kështu një etapë të re për Durana Tech Park. Synimi është që zhvillimi i një qendre moderne të teknologjisë dhe inovacionit të ecë paralelisht me respektimin e standardeve mjedisore, transparencën ndaj publikut dhe bashkëpunimin me institucionet përgjegjëse.
Zhvillimi i Duranës po mbështetet nga ekspertiza e Grupit të Bankës Botërore. Parku është përzgjedhur si projekt pilot i Korporatës Financiare Ndërkombëtare (IFC) në nismën për zhvillimin e parqeve eko-industriale në Ballkanin Perëndimor, e cila mbështetet nga Bashkimi Evropian përmes Kornizës së Investimeve për Ballkanin Perëndimor (WBIF).
Në kuadër të kësaj mbështetjeje, është hartuar plani konceptual për zhvillimin më të gjerë të Durana Innovation District, si dhe studimi paraprak i fizibilitetit dhe plani i investimit, të përgatitur nga Ernst & Young për IFC.
/k.s/j.p/
Burimi: ata.gov.al









