Kalo te përmbajtja

Lajme të shpejta, të verifikuara dhe të paanshme

Lajm i fundit
Teknologji

Policia zvicerane paralajmëron mashtrim në WhatsApp përmes Ghost Pairing

Policia zvicerane paralajmëron mashtrim në WhatsApp përmes Ghost Pairing
Foto: gazetaexpress.com

Një skemë mashtrimi në WhatsApp, e njohur si “Ghost Pairing”, po kthehet sërish në qendër të vëmendjes, ndërsa policia paralajmëron përdoruesit për rrezikun që llogaritë e tyre të bien në duart e personave të panjohur.

Siç raportojnë mediat gjermane dhe zvicerane, mashtruesit përfitojnë nga funksioni i lidhjes së pajisjeve në WhatsApp për të hyrë në llogaritë e përdoruesve.

Pasi arrijnë të lidhin pajisjen e tyre me llogarinë e një personi tjetër, ata mund t’u shkruajnë kontakteve të viktimës dhe t’u kërkojnë para në emrin e saj, shkruan 20Minuten.

Skema zakonisht nis me një mesazh që duket se vjen nga një mik ose një person i njohur.

Viktima mund të marrë një lidhje për një votim online, një konkurs ose një aktivitet tjetër, si edhe udhëzime për të skanuar një kod QR ose për të konfirmuar lidhjen e një pajisjeje.

Nëse i ndjek këto hapa pa e kuptuar se çfarë po autorizon, mund t’u japë mashtruesve qasje në llogarinë e saj.

Rasti në Gjermani dhe masat mbrojtëse

Një rast i raportuar në Gjermani përfshiu një 26-vjeçar nga rajoni i Oberpfalz-it, i cili mori një kërkesë për ndihmë financiare përmes llogarisë WhatsApp të një të njohuri.

Duke besuar se mesazhi ishte i vërtetë, ai transferoi një shumë prej disa qindra eurosh.

Kur mori një kërkesë të dytë për para, dyshoi dhe e telefonoi personin në fjalë, i cili i tha se nuk kishte dërguar asnjë mesazh. Viktima e raportoi rastin në polici.

Për t’u mbrojtur nga kjo skemë, përdoruesit këshillohen të kontrollojnë rregullisht pajisjet e lidhura me llogarinë e tyre.

Në WhatsApp, kjo mund të bëhet te seksioni “Pajisjet e lidhura” (Linked Devices), ku duhet të shkëputen menjëherë pajisjet e panjohura.

Policia rekomandon gjithashtu që përdoruesit të mos ndajnë kodet e verifikimit me persona të tjerë, të mos konfirmojnë lidhje të pajisjeve që nuk i kanë kërkuar vetë dhe të aktivizojnë verifikimin me dy hapa.

Në rastet kur një kontakt i njohur kërkon papritur para, këshillohet që kërkesa të verifikohet përmes një telefonate ose një kanali tjetër komunikimi, pasi llogaria e tij mund të jetë komprometuar.

Ekspertët paralajmërojnë se një nga rreziqet kryesore të “Ghost Pairing” është fakti se WhatsApp mund të vazhdojë të funksionojë normalisht në telefonin e viktimës edhe kur një pajisje tjetër ka fituar qasje në llogari. Për këtë arsye, kontrollimi i pajisjeve të lidhura është një hap i rëndësishëm për sigurinë e përdoruesve./Telegrafi

Burimi: www.gazetaexpress.com

Të fundit Të gjitha