Kalo te përmbajtja

Lajme të shpejta, të verifikuara dhe të paanshme

Lajm i fundit
Kulturë

Biblioteka Kombëtare e Kosovës pasurohet me libra në gjuhën italiane nga Torino

Biblioteka Kombëtare e Kosovës pasurohet me libra në gjuhën italiane nga Torino
Foto: kultplus.com

Biblioteka Kombëtare e Kosovës “Pjetër Bogdani”, në bashkëpunim me Ambasadën e Italisë në Prishtinë, shënoi më 26 tetor Javën e Gjuhës Italiane në Botë, përmes një aktiviteti që vuri në qendër promovimin e gjuhës, librit dhe kulturës italiane.

Donacion librash nga Bibliotekat Publike të Torinos

Në kuadër të këtij aktiviteti, Biblioteka Kombëtare pranoi një donacion librash nga Bibliotekat Publike të Torinos, duke hapur një hapësirë të re të dedikuar literaturës në gjuhën italiane. Ky donacion synon të pasurojë fondin bibliotekar dhe të krijojë më shumë mundësi për lexuesit që të kenë qasje në botime italiane, ndërsa forcon bashkëpunimin kulturor ndërmjet Kosovës dhe Italisë.

Aktiviteti u organizua në kuadër të temës “Lingua geniale: ideare, progettare, creare con l’italiano” (“Gjuha gjeniale: të ideosh, të projektosh, të krijosh me italishten”), e cila thekson potencialin krijues të gjuhës italiane dhe lidhjen e saj me artin, dijen dhe inovacionin.

Prezantim botimi dhe ekspozitë kushtuar Leonardo da Vincit

Programi përfshiu edhe prezantimin e botimit “Lingua gentile, lingua geniale: ideare, progettare, creare con l’italiano”, si dhe hapjen e një ekspozite kushtuar jetës dhe veprës së Leonardo da Vincit, duke vënë në pah kontributin e tij në art, shkencë dhe kulturë.

Përmes këtij aktiviteti, Biblioteka Kombëtare e Kosovës riafirmon rolin e saj në pasurimin dhe promovimin e trashëgimisë së shkruar, si dhe në krijimin e mundësive për shkëmbim kulturor dhe qasje më të gjerë në dije./KultPlus.com

Burimi: kultplus.com

Të fundit Të gjitha