Në këtë datë shënohet Dita Botërore e Trashëgimisë Audiovizuale.
Kjo ditë ofron një rast për të vlerësuar punën e profesionistëve që ruajnë materiale të cilat rrezikojnë të humbasin. Ajo synon të rrisë ndërgjegjësimin e publikut për domosdoshmërinë e masave të shpejta dhe të njohë rëndësinë e dokumenteve audiovizuale.
Tema e këtij viti
Tema e sivjetshme është “Dritarja juaj drejt botës”, e cila nxjerr në pah funksionin thelbësor të trashëgimisë audiovizuale në lidhjet dhe mirëkuptimin ndërmjet shoqërive në mbarë globin.
Në një njoftim të UNESCO-s theksohet se “arkivat audiovizuale tregojnë histori për jetën dhe kulturat e njerëzve nga e gjithë bota. Ato përbëjnë një trashëgimi të çmuar, e cila dëshmon kujtesën tonë kolektive dhe është burim i vlefshëm dijeje, pasi pasqyrojnë diversitetin kulturor, shoqëror dhe gjuhësor të komuniteteve tona”.
Ruajtja dhe digjitalizimi
Ruajtja e kësaj trashëgimie dhe sigurimi që ajo të mbetet e arritshme për publikun dhe brezat e ardhshëm është një objektiv thelbësor për të gjitha institucionet e kujtesës, si dhe për publikun e gjerë. Arkivat e UNESCO-s kanë nisur projektin “Digjitalizimi i historisë sonë të përbashkët në UNESCO” pikërisht për këtë qëllim.
Kështu, kjo ditë shërben edhe si mundësi që shtetet anëtare të UNESCO-s të vlerësojnë arritjet e tyre në zbatimin e “Rekomandimit të vitit 2015 mbi Ruajtjen dhe Qasjen në Trashëgiminë Dokumentare, përfshirë edhe në formë digjitale”./atsh/KultPlus.com
Burimi: kultplus.com










