Kalo te përmbajtja

Lajme të shpejta, të verifikuara dhe të paanshme

Lajm i fundit
Shëndetësi

Tetori Rozë, gratë vlonjate në fushatë ndërgjegjësimi për kontrollet e gjirit

Tetori Rozë, gratë vlonjate në fushatë ndërgjegjësimi për kontrollet e gjirit
Foto: reporteri.al

TIRANË, 27 tetor /ATSH/ Një grup zonjash nga Vlora i janë bashkuar muajit të ndërgjegjësimit për kontrollin e gjirit, në kuadër të sensibilizimit për Tetorin Rozë.

Kryeministri Edi Rama ndau në rrjetet sociale mesazhet e 14 grave nga fusha të ndryshme, mes tyre artiste, sportiste, gazetare, përfaqësuese të pushtetit vendor dhe specialiste, të cilat u bëjnë thirrje grave dhe vajzave të tregojnë kujdes për shëndetin dhe të kryejnë kontrolle të rregullta.

“Një kujtesë për rëndësinë e kontrolleve në këtë Tetor Rozë, përmes zërit të disa zonjave vlonjate”, shkruan Rama.

Mesazhet e grave nga Vlora

“Unë jam Loris, aktore! Nuk jam këtu për të interpretuar një nga baladat më të famshme, as Rozafën dhe as Doruntinën, por jam për rolin më sensibilizues, atë të jetës”, shprehet aktorja e Teatrit “Petro Marko”, Loris Sinanaj.

Ndërsa basketbollistja e “Flamurtarit”, Kejsi Isufi, thekson se “jeta është shumë e bukur dhe ajo duhet jetuar shëndetshëm”.

Mesazhet e grave vënë theksin te rëndësia e diagnostikimit të hershëm, i cili rrit mundësitë e trajtimit dhe shpëtimit të jetës.

“Mos ngurroni! Diagnostifikimi në fazat e para rrit ndjeshëm mundësinë e shërimit. Shpëton jetë”, apelon Nevila Zaimi, specialiste në Drejtorinë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore Vlorë.

Një thirrje të drejtpërdrejtë përcjell edhe Silva Islamaj, nënkryetare e Bashkisë Selenicë, e cila ndan përvojën e saj.

“Unë e bëra kontrollin tim shëndetësor. Shko bëje edhe ti, mos humb kohë”.

Simboli i fjongos rozë dhe kalaja e Porto Palermos

Përmes simbolit të fjongos rozë, pjesëmarrëset kujtojnë gratë që kanë fituar betejën me sëmundjen, ato që vijojnë të luftojnë dhe ato që kanë humbur jetën.

“Një fjongo rozë, mijëra histori, një mesazh: Jeto!”, është mesazhi i Anisa Hysenit, drejtoreshë e Këshillit të Qarkut Vlorë.

Ndërsa, Ornela Emini, Drejtore e Bashkisë Konispol thotë se: “fjongoja rozë, simboli i shpresës, forcës dhe solidaritetit, na kujton historinë e çdo beteje të grave që kanë fituar mbi sëmundjen, atyre që ende luftojnë dhe kujtimin e atyre që nuk janë më mes nesh”.

Përpos mesazheve sensibilizuese, një tjetër element që i është bashkuar fushatës është ngjyra rozë me të cilën është “veshur” simbolikisht kalaja e Porto Palermos.

Nisma synon të rrisë ndërgjegjësimin për kujdesin ndaj shëndetit të gjirit dhe të nxisë gratë e vajzat të mos neglizhojnë kontrollet mjekësore, duke e vendosur zbulimin e hershëm në qendër të mesazheve në kuadër të Tetorit Rozë.

/e.i/a.f/

Burimi: ata.gov.al

Të fundit Të gjitha