Kalo te përmbajtja

Lajme të shpejta, të verifikuara dhe të paanshme

Lajm i fundit
Bota

Protestë mbarëkombëtare më 31 tetor, të rinjtë gjermanë kundër qeverisë

Protestë mbarëkombëtare më 31 tetor, të rinjtë gjermanë kundër qeverisë
Foto: reporteri.al

BERLIN, 27 tetor /ATSH/- Sipas organizatorëve të një iniciative të të rinjve të gjeneratës Z, më shumë se 140 mijë studentë dhe të rinj janë regjistruar online për të marrë pjesë në protestat që do të mbahen njëkohësisht të shtunën në 23 qytete të Gjermanisë.

Protestat e grupit “Gen Z steht auf”

Grupi “Gen Z steht auf” (Gjenerata Z ngrihet) do të organizojë protestat kryesore në Berlin, Hamburg, Mynih, Frankfurt dhe Këln, ndërsa do t’u bashkohet edhe protestave të organizuara në 18 qytete të tjera.

Sipas organizatorëve, Këlni ka numrin më të madh të regjistrimeve online, me mbi 12 mijë persona.

Pas tij renditet Frankfurti me gati 11 mijë regjistrime, ndërsa Hamburgu dhe Berlini kanë nga mbi 8 mijë secili. Në Mynih janë regjistruar afro 7 mijë persona.

Protestat pritet të nisin në orën 14:00, sipas orës lokale, me moton “E ardhmja jonë është në duart tona”.

Të rinjtë do të kundërshtojnë shkurtimet e shpenzimeve për arsimin dhe ndihmën sociale, rritjen e kostos së jetesës dhe planet e qeverisë për shërbimin e detyrueshëm ushtarak.

Në dokumentin ku shpjegojnë kërkesat e tyre, organizatorët bëjnë thirrje që qeveria të investojë më shumë në arsim, mbështetje sociale, shëndetësi dhe mundësi për të përballuar shpenzimet e jetesës, në vend që të kursejë para duke rënduar mbi brezin e ri.

“Jemi të rinj që nuk duam të rrimë më duarkryq, ndërsa merren vendime për të ardhmen tonë pa na dëgjuar. 31 tetori është vetëm fillimi”, deklaruan organizatorët.

Masat e sigurisë dhe deklarata e Akram Selo

Akram Selo, një nga nismëtarët e grupit “Gen Z steht auf”, theksoi se protestat do të zhvillohen në mënyrë paqësore.

Ai deklaroi për mediet se grupi distancohet qartë nga çdo formë dhune.

Gazeta gjermane “Bild”, duke iu referuar burimeve të sigurisë, raportoi se policia në të gjithë vendin ka marrë tashmë urdhra për angazhimin e forcave dhe ka përcaktuar vendet ku do të ndërhyjë më 31 tetor.

Oficerët do të mbrojnë gjithashtu objektet që konsiderohen veçanërisht të rrezikuara.

Sipas gazetës, në qytetet e mëdha pritet që automjetet e policisë të pajisura me autobote uji dhe mjetet e blinduara të jenë gati për ndërhyrje.

Gjithashtu, parashikohet angazhimi i disa qindra efektivëve të policisë.

Protestat do të mbikëqyren edhe nga ajri, përmes helikopterëve dhe, nëse do të jetë e nevojshme, dronëve të policisë.

Sipas të njëjtit raportim, planet e sigurisë përfshijnë edhe ndalimin e grupeve ekstremiste, të prirura për dhunë në stacionet e trenave dhe ndarjen e tyre nga grupet e tjera të udhëtarëve. //a.i/

Burimi: ata.gov.al

Të fundit Të gjitha