Pedagogu Klementin Mile ka dhënë komentin e tij mbi protestat në Shqipëri, duke theksuar se sipas tij vota mbetet arma më efikase dhe ka një ndikim vendimtar.
Mësimet nga lëvizja studentore në Serbi
Mile përmend gjithashtu lëvizjen studentore në Serbi, nga e cila, sipas tij, mund të nxirren mësime për mënyrën e organizimit të protestave. Ai thekson se pjesëmarrja masive dhe organizimi janë thelbësore për të arritur ndryshimin, ndërsa dhuna nuk i tërheq qytetarët drejt një lëvizjeje, por i largon ata.
Në këtë kontekst, Mile vlerëson se kryeministri Edi Rama ka ndjekur një strategji për të fituar fillimisht betejën politike me protestën dhe më pas për t’u përballur me zhvillimet që lidhen me rendin dhe policinë.
Vota dhe legjitimiteti i qeverisë
“Vota është arma më e suksesshme, ka efekt vendimtar. Në Francë, si ka mundësi që nuk e kuptojnë që, në fakt, po çojnë ujë te dora e fortë, që dora e fortë është Le Pen, ekstremi i djathtë? Në momentin që çështja shkon te siguria, garantuesit më të mëdhenj të sigurisë janë të djathtët. Kaq amatorë janë?
Në Serbi, megjithë diferencat që ka lëvizja studentore, disa leksione mund të merren nga të gjitha palët prej asaj që ka ndodhur. Për protestuesit, serbët u thanë se masiviteti dhe organizimi janë të rëndësishëm. Nëse ke pak njerëz në shesh, nuk mund të shkosh në atë rezultat. Dhuna nuk afron njerëz, largon njerëz.
Për qeverinë, edhe Vuçiçi ishte shumë i sigurt kohë më parë, mirëpo legjitimiteti është fushë tjetër, ka nevojë për diçka më shumë. Edhe Rama, edhe pse ka pak njerëz në rrugë, në rrjetet sociale legjitimiteti moral i qeverisë ka rënë. Rama ka pasur intuitën e duhur në këtë situatë, përballë kësaj proteste, ka pasur intuitën që duhet të fitojë betejën politike ndaj protestës e më pas me polici e këto.”
Burimi: abcnews.al










