Kalo te përmbajtja

Lajme të shpejta, të verifikuara dhe të paanshme

Lajm i fundit
Politikë

Berisha shpreh mbështetje për protestën e studentëve

Berisha shpreh mbështetje për protestën e studentëve
Foto: reporteri.al

TIRANË, 29 tetor /ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha deklaroi sot se demokratët e mbështesin pa kufizime protestën e studentëve.

Në një intervistë për Klan News, Berisha theksoi se strukturat dhe Forumi Rinor i Partisë Demokratike janë të pranishëm në protestë që në minutën e parë dhe do të qëndrojnë deri në fund.

Berisha pohoi se mbështetja e PD-së për protestën nuk e dobëson lëvizjen e studentëve, por përkundrazi i jep asaj forcë.

Ai theksoi se Partia Demokratike ka shpallur dy parime, të cilat sipas tij mbrojnë në thelb studentët dhe kauzën e tyre.

Berisha për parimet e mbështetjes ndaj studentëve

“Protestën unë e kam mbështetur sipas rregullave që ata i përcaktuan vetë. Ne kemi shpallur dy parime: parimi i parë, të mbështesim studentët me potencialin tonë; parimi i dytë, të mbrojmë studentët. Jemi të pranishëm që në fillim në këtë protestë. Ne kemi strukturat e Forumit Rinor që janë aty që nga minuta e parë dhe ata do të jenë aty deri në fund. Falangat e Edi Ramës, që janë aty për ta ‘vdekur’ protestën, dalin me tezën dhe thirrjen ‘Rama në burg’, ‘Berisha në burg’; nuk ka mashtrim më të madh se ky, të thuash se pozita dhe opozita janë njëlloj”, theksoi Berisha.

Sa i përket qëndrimit të tij ndaj listave të hapura në zgjedhje, Berisha u shpreh pro këtij sistemi, duke deklaruar se do ta mbështeste menjëherë.

Berisha tha se ndryshimet e mëparshme në Kodin Zgjedhor në vitin 2008 iu imponuan nga opozita e drejtuar asokohe nga Edi Rama.

“Na e imponoi Rama me përfaqësuesit e tij, ai kishte vota, ne nuk kishim votat. Nuk kishim alternativë, ose të bojkotonim zgjedhjet, ose të pranonim Kodin”, tha ai.

Berisha për protestën e 21 Janarit

I pyetur në lidhje me 21 Janarin, ku katër protestues u vranë në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, Berisha, i cili në atë kohë ishte kryeministër i vendit, tha se protestat “lindën” nga një video, që sipas tij ishte tërësisht e falsifikuar. Për Berishën, më 21 Janar, armët e zjarrit janë përdorur tërësisht në përputhje me ligjin.

“Protesta e 21 Janarit bazohej në një video të montuar, u krijua mbi një falsitet. Aty lakohej një njeri, që nuk kishte lidhje fare. Në 21 Janar, policia mbajti qëndrim ligjor, 120 policë janë plagosur atë ditë dhe efektivët kanë marrë përgëzime nga gjithë ndërkombëtarët. Armët e zjarrit janë përdorur në përputhje me ligjin. Në atë kohë ka qenë prokurore një kundërshtare e imja”, u shpreh Berisha.

/m.q/r.e/a.f/

Burimi: ata.gov.al

Të fundit Të gjitha