Nga Ylli Pata
Në disa media të opozitës, pak ditë më parë, u publikua me shumë bujë një deklaratë e një shqiptari nga Nju Jorku, ish-politikan i zgjedhur në radhët e Partisë Demokratike të SHBA-së, në organe shtetërore dhe bashkiake.
Bëhet fjalë për Mark Gjonajn, i cili për një periudhë kishte marrëdhënie të ngushta me Edi Ramën, qeveria e të cilit e emëroi për një kohë edhe si drejtues i diasporës shqiptare në SHBA.
Gjonaj, pak ditë më parë, në një deklaratë të shpërndarë në rrjetet sociale dhe në disa media opozitare, kërkoi dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.
Kjo deklaratë shkaktoi mjaft bujë në Tiranë, por jo në Nju Jork. Madje shumë shqiptarë që jetojnë në metropolin më të madh të botës kanë shprehur rezervë në takimet e mbrëmjes në baret ku mblidhen për të ndjekur me detaje zhvillimet në Shqipëri përmes televizioneve të Tiranës.
Aty, si gjithmonë, shqiptarët kudo që ndodhen nuk e kanë problem të ironizojnë dhe të tregojnë faktet që i njohin shumë mirë kur bëhet fjalë për njerëz që paraqiten si liderë e përfaqësues.
Mark Gjonaj, siç e ka firmosur deklaratën e tij publike, ka qenë ish-këshilltar i bashkisë së Nju Jorkut dhe anëtar i Parlamentit të Shtetit të Nju Jorkut.
Vërtetë është ish dhe jo më i zgjedhur, dhe kjo si pasojë e një hetimi të rëndë federal, që e akuzonte zotin Gjonaj se ka marrë financime për fushatë nga familja famëkeqe mafioze e Nju Jorkut – familja Gambino.
Akuzat federale
Gazeta Cityandstateny, pra media që mbulon kronikën kryesore të Nju Jorkut, ka shkruar një artikull të gjerë për aferën Gjonaj-Gambino.
Shkrimi është shkruar nga Amanda Luz dhe Henning Santiago në 10 marsin e 2020-s. Në këtë shkrim theksohen hetimet e autoriteteve të drejtësisë amerikane ndaj ish-politikanit Mark Gjonaj, të zgjedhur në listat e Partisë Demokratike Amerikane.
Sipas shkrimit, ai mori donacione nga persona që dyshohet se janë anëtarë të familjes mafioze Gambino.
Në dhjetor të vitit 2019, doli në dritë se Gjonaj kishte pranuar mijëra dollarë në formë donacionesh nga dy individë që dyshohet se janë të lidhur me familjen mafioze Gambino – Mark “Chippy” Kocaj dhe John “Smiley” Simonlacaj – të cilët ishin akuzuar së fundmi nga autoritetet federale për një sërë krimesh.
Një javë pasi lajmi u bë publik, Kryetari i Këshillit Bashkiak, Corey Johnson, deklaroi se Gjonaj duhet t’i kthejë fondet. “Askush nuk duhet të pranojë para nga familja kriminale Gambino,” tha Johnson. “Besoj se kushdo që merr para nga persona të lidhur me krimin e organizuar, duhet t’i kthejë ato.” Kontributet për fushatën lidhur me ndërtimin e një kompleksi banesor në Bronx
Aktivistë të komunitetit u përpoqën të ndalonin ndërtimin e një kompleksi të ri banesor në Bronx, pasi u zbulua se Gjonaj dhe presidenti i bashkisë së Bronx-it, Ruben Diaz Jr., kishin marrë donacione për fushatat e tyre nga persona që kishin lidhje me zhvilluesin e projektit, “Exact Capital”, në shtator të vitit 2019.
Gjonaj mori një donacion prej 11,000 dollarësh nga persona të lidhur me pronarët e “Exact Capital”, ndërsa Diaz Jr. mori donacione në vlerë prej 15,000 dollarësh drejtpërdrejt nga një bashkëpronar i “Exact Capital” në vitet 2014 dhe 2016. Këshilltari e mbështeti projektin – i cili u miratua unanimisht nga Këshilli Bashkiak – ndërsa presidenti i bashkisë së Bronx-it dha miratimin për zhvillimin e tij në vitin 2018, pavarësisht kundërshtimeve nga dy borde komunitare.
Të dy u akuzuan se kanë orientuar fonde publike drejt donatorëve të tyre. “Unë nuk isha mbështetës i tij, por e transformova atë në diçka që do t’i sillte dobi komunitetit, lagjes dhe zonës përreth,” deklaroi Gjonaj për NY1. Diaz Jr. nuk iu përgjigj kërkesave të NY1 për koment.
Ai u dha donatorëve të fushatës mbi 20,000 dollarë nga fondet e Këshillit Bashkiak
U zbulua se, në dhjetor të vitit 2018, Gjonaj pagoi më shumë se 20,000 dollarë nga buxheti i zyrës së tij në Këshillin Bashkiak për disa biznese që kishin lidhje me donatorët e fushatës së tij. Njëra prej këtyre kompanive, “Pro Design & Construction Corp.”, rezultoi se kishte të njëjtën adresë si kompania e tij imobiliare, “MP Realty Group Corp.”
Interesat shqiptare
Interesat e tij në biznes dhe në nëntokën e lidhjeve jashtë politikës apo kriminale në SHBA nuk janë të vetme për Gjonajn, pasi ai është një nga emrat që ka lëvizur në krerët e politikës shqiptare prej vitesh; në fillim me Sali Berishën e më pas me Edi Ramën.
Gjatë kohës së qeverisjes së Sali Berishës, përkatësisht në mandatin e dytë, Mark Gjonaj iu afrua me anë të njerëzve pranë tij kreut të qeverisë, duke u ofruar si një lobist dhe veprimtar i diasporës.
Shqiptarët e Nju Jorkut theksojnë se ky afrim u bë sepse Gjonaj kërkonte një leje zhvillimi në Velipojë, ku zotëron prej kohësh një territor në plazh. Duket se Berisha nuk ka pranuar që të bëhet palë në një marrëveshje të tillë, ndoshta edhe sepse iku më pas nga pushteti.
Gjonaj më pas iu afrua mjaft edhe Edi Ramës, aq sa në kongresin e parë të diasporës u zgjodh edhe si kreu i diasporës shqiptare në SHBA. Rol që Gjonaj e përdori duket si një mundësi për të marrë aksione në lobet e Partisë Demokratike për t’u zgjedhur në listat lokale për bashkinë dhe Shtetin e Nju Jorkut.
Në aktivitetet e zhvilluara gjatë vizitave të Edi Ramës në Nju Jork, shqiptarët atje qarkullojnë foto e video ku Mark Gjonaj shpërndan veneracione për kryeministrin e për eksponentët e mazhorancës. Video e foto që kanë mbërritur edhe për gazetën TemA.
Mirëpo, duket se gjithë këto vardisje, e sidomos çështjet gjyqësore prej autoriteteve federale, nuk arritën që ish-politikani nga Malësia e Madhe – pjesë që është në Malin e Zi – të marrë lejen për të ndërtuar resort në Velipojë.
E duket se nga inati u bë flamingo duke kundërshtuar resortin e Zvërnecit, ku është pjesë edhe dhëndri i Presidentit amerikan Donald Trump. Më shumë se një linjëzim me pjesët e majta të Partisë Demokratike për të luftuar Presidentin Trump, duket më shumë një inat brenda konfliktit të interesit.
Burimi: tirananews.al










