Avokati i Popullit, Naim Qelaj, deklaroi se pas vrasjes së Arlinda Zekajt në Vitomiricë të Pejës, institucionet duhet të bëjnë një reflektim mbi veprimet e ndërmarra dhe përgjegjësitë që kanë pasur për të penguar ngjarje të tilla.
Naim Qelaj kërkon përgjegjshmëri institucionale
Në emisionin “Debat Plus” në Dukagjin, Qelaj theksoi se përveç deklaratave të zakonshme të tronditjes, institucionet duhet të vlerësojnë nëse kanë bërë mjaftueshëm për të mbrojtur jetën dhe sigurinë e qytetarëve.
“Përtej asaj që është bërë retorikë e zakonshme duke treguar se sa të tronditur jemi, mendoj që e para që duhet të bëjmë kur ndodhin raste të tilla është që të reflektojmë se çfarë kemi bërë, cilat kanë qenë veprimet tona në kuadër të kompetencave e përgjegjësive që kemi për t’i shmangur raste të tilla”, ka deklaruar Qelaj.
Ai theksoi se përgjegjësia kryesore bie mbi Policinë dhe sistemin e drejtësisë, si autoritetet drejtpërdrejt përgjegjëse për sigurinë dhe jetën e qytetarëve, por shtoi se as pjesa tjetër e strukturës shtetërore nuk përjashtohet nga përgjegjësia, përfshirë institucionin e Avokatit të Popullit.
Qelaj tha se, sipas tij, nuk ka pranuar më parë ndonjë ankesë lidhur me rastin e Arlinda Zekajt, por theksoi se në raste të ndjeshme angazhohet për të parë se çfarë informacioni ka institucioni që drejton.
“Unë, me sa e di, nuk na ka shkruar kurrë. Nuk arrij t’i mbaj mend të gjithë ankuesit, por kur ka raste të ndjeshme, menjëherë angazhohem për të parë se çfarë kemi për rastin. Nuk them se, po të ishte adresuar te ne, do të ndryshonte rasti, por besoj fuqishëm se të gjitha hallkat e shtetit duhet të shohin nëse kanë bërë mjaftueshëm për t’i parandaluar raste të tilla, që fatkeqësisht janë raste të përsëritura”, është shprehur ai.
Dhuna në familje dhe të dhënat e raportuara
Gjatë diskutimit, Avokati i Popullit foli edhe për përmasat e dhunës në familje në Kosovë, duke thënë se numri i rasteve të raportuara nuk e paraqet domosdoshmërisht të gjithë realitetin, pasi një pjesë e dhunës mbetet e paraportuar.
“Ajo që e shpërfaqin statistikat është vetëm një pjesë. Kemi mbi 2 mijë e 500 raste të dhunës në familje të raportuara dhe mund të ketë edhe më shumë brenda mureve që nuk raportohen. Por mekanizmat kanë dështuar”, ka deklaruar Qelaj.
Burimi: www.dukagjini.com









