Mungesa e infrastrukturës përbën një problem të dytë në rëndësi.
Prej disa vitesh, shumica e Qendrave për Punë Sociale përballen me mungesë të stafit.
E njëjta situatë është edhe në Fushë Kosovë, një nga komunat me rritjen më të madhe të numrit të banorëve.
“Qendra për Punë Sociale numëron katër punëtorë, zyrtarë të shërbimit social, të cilët ofrojnë shërbime për secilin klient që ne vlerësojmë se ka nevojë për shërbim; aktualisht numri i banorëve është i kufizuar”, tha Abaz Xhigoli, Drejtor i QPS-së.
Edhe pse numri i rasteve që trajtohen këtu është në rritje, Xhigoli foli edhe për psikologët.
“Kemi shumë njerëz që kanë nevojë, por neve na mungon fusha e psikologut, për të mundësuar më pas ndihmë për fëmijët, të moshuarit ose viktimat që kanë nevojë për riintegrim ose rehabilitim social”, tha ai.
Qendra për Punë Sociale në Prishtinë
As Qendra për Punë Sociale në kryeqytet nuk është në gjendje më të mirë.
Në një përgjigje për Dukagjinin, drejtori Bajram Shala dha detaje.
“Nëse kemi parasysh numrin e madh të banorëve, numrin e madh të kategorive të rasteve që marrin shërbime sociale dhe numrin e zyrtarëve të shërbimeve sociale që ofrojnë shërbime për këto kategori, nënkuptojmë se për të ofruar shërbime sociale profesionale dhe cilësore, si dhe për të përmbushur obligimet e përgjegjësitë e QPS-së sipas ligjeve dhe legjislacionit në fuqi në Kosovë, kërkohet të plotësohet numri i zyrtarëve të shërbimeve sociale. Aktualisht kemi një zyrtar për çështje psikologjike të punësuar në njërën nga njësitë e QPS-së në Prishtinë”, u shpreh Bajrami.
Qendra për Punë Sociale në Gjakovë
Mungesë të stafit dhe të psikologëve ka edhe QPS-ja në komunën e Gjakovës.
“Qendra për Punë Sociale ka shtatë zyrtarë të shërbimeve sociale të profileve të ndryshme, por në raport me trendet e rritjes së rasteve, duke përfshirë dhunën në familje dhe divorcet, ky numër është i pamjaftueshëm duke marrë parasysh kërkesat. Ne kemi zyrtarë të shërbimeve, por psikologu është i punësuar ekstra dhe ofron trajtimin e rastit, pra u përgjigjet edhe gjykatave; QPS nuk e ka të punësuar një të tillë”, u shpreh Drejtoresha e QPS-së në Gjakovë, Jozefina Osmani.
Problemet në Qendrat për Punë Sociale janë evidentuar ndër vite, mes të tjerash edhe nga Zyra e Auditorit të Përgjithshëm në një raport të nxjerrë tri vite më parë, ku kërkohej që t’u jepej prioritet rasteve dhe të shmangeshin vonesat që mund të cenojnë sigurinë e viktimave, mbështetjen e vazhdueshme për viktimat, përfshirë strehimin, përkrahjen sociale e ekonomike dhe shërbimet e specializuara.
Ministria për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare nuk ka kthyer përgjigje për këtë temë.
Burimi: www.dukagjini.com










