Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, konfirmoi se PS do të marrë pjesë në konsultimet me Presidentin Bajram Begaj për përcaktimin e datës së zgjedhjeve vendore të vitit 2027.
Reagimi i Taulant Ballës ndaj qëndrimit të Partisë Demokratike
Në një postim në Facebook, Balla komentoi edhe pozicionin e Partisë Demokratike, të shprehur nga kryetari i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, i cili e quajti ftesën e Presidentit një “teatër politik”.
Balla theksoi se konsultimi me partitë politike për datën e zgjedhjeve është një procedurë që është ndjekur edhe nga presidentët e mëparshëm, ndërsa u bëri thirrje opozitës të marrë pjesë në procesin zgjedhor.
“Çdo President i Republikës ka ndjekur të njëjtën procedurë, duke ftuar partitë politike për konsultimin e datës së zgjedhjeve. Por sot ‘depoja e molotovëve’-SHQUP duket se është shprehur kundër kësaj tradite. Shpresoj që t’i kthehen arsyes dhe të marrin pjesë në ZGJEDHJET VENDORE diku mes 15 Prill – 15 Majit 2027. Të kundërtën e kanë provuar në forma të ndryshme me bojkot, me vulë, pa vulë etj.”, shkruan Balla.
Konfirmimi i pjesëmarrjes së Partisë Socialiste
Në të njëjtin postim, kryetari i grupit parlamentar të PS-së konfirmoi zyrtarisht pjesëmarrjen e socialistëve në takimin e thirrur nga kreu i shtetit.
“Partia Socialiste konfirmon prezencën në konsultime me Presidentin e Republikës zotin Bajram Begaj mbi datën e zgjedhjeve vendore 2027”, përfundon reagimi i Ballës.
Konsultimet mes Presidentit dhe përfaqësuesve të grupeve parlamentare pritet të paraprijnë dekretimin e datës së zgjedhjeve vendore të vitit 2027, në përputhje me afatet ligjore.
Burimi: euronews.al










