Kalo te përmbajtja

Lajme të shpejta, të verifikuara dhe të paanshme

Lajm i fundit
Shëndetësi

Cilat sporte janë të sigurta për ata që vuajnë nga astma

Cilat sporte janë të sigurta për ata që vuajnë nga astma
Foto: reporteri.al

ROMË, 26 tetor /ATSH/ – Individët që kanë astmë mund të ushtrohen dhe të merren me sporte të ndryshme, përderisa sëmundja është nën kontroll dhe ndiqen rekomandimet e mjekut, shkruan salute.it.

Nga ana e specialistëve të mjekësisë sportive theksohet se aktiviteti fizik ndihmon në përmirësimin e funksionit të mushkërive, në forcimin e imunitetit dhe në menaxhimin e stresit, faktorë që ndikojnë në kontrollin e simptomave të astmës.

Astma është një sëmundje kronike inflamatore e rrugëve të frymëmarrjes, e cila shkakton ngushtim të bronkeve dhe vështirësi në frymëmarrje, sidomos gjatë sforcimit fizik.

Për një kohë të gjatë, pacientëve me astmë, veçanërisht fëmijëve dhe adoleshentëve, u sugjerohej të shmangnin sportin për shkak të frikës nga krizat e frymëmarrjes.

Por njohuritë mjekësore të ditëve të sotme theksojnë rëndësinë e aktivitetit fizik të përshtatur sipas gjendjes shëndetësore të çdo pacienti.

Aktiviteti fizik ndihmon në kontrollin e astmës, duke përmirësuar funksionin e mushkërive, duke ndihmuar në mbajtjen e një peshe të shëndetshme dhe duke ulur stresin.

Në mënyrë të veçantë, ushtrimet e rregullta kontribuojnë në përmirësimin e gjendjes së përgjithshme fizike dhe në rritjen e tolerancës ndaj sforcimit.

Megjithatë, shfaqja e kollës, gulçimit ose vështirësive në frymëmarrje gjatë ose pas ushtrimeve mund të tregojë se astma nuk është e kontrolluar mjaftueshëm. Në këto raste, këshillohet konsultimi me mjekun për të vlerësuar dhe përshtatur trajtimin.

Sportet më të përshtatshme

Ndër sportet që mund të jenë të përshtatshme për personat me astmë përfshihen noti, kanotazhi, skitë e stilit të lirë në distanca të gjata dhe gjimnastika artistike. Këto aktivitete kërkojnë punën e koordinuar të muskujve të frymëmarrjes dhe të pjesëve të tjera të trupit.

Edhe sporte si volejbolli, basketbolli, hendbolli, tenisi, bejsbolli dhe sportet e ndryshme të vallëzimit mund të praktikohen nga personat me astmë, në varësi të kontrollit të sëmundjes dhe tolerancës individuale ndaj ushtrimeve.

Zgjedhja e sportit duhet të marrë parasysh edhe kushtet mjedisore.

Personat alergjikë ndaj marimangave të pluhurit mund të kenë më shumë shqetësime në palestra ose ambiente të mbyllura me ajrosje të dobët, ndërsa ata që janë alergjikë ndaj poleneve mund të përjetojnë simptoma gjatë aktiviteteve në natyrë, veçanërisht në periudhat kur përqendrimi i tyre në ajër është i lartë.

Ndotja atmosferike mund të përkeqësojë gjithashtu simptomat, sidomos gjatë aktiviteteve me intensitet të lartë, si vrapimi dhe çiklizmi.

Masat që duhen marrë gjatë sportit

Për të praktikuar aktivitet fizik në mënyrë sa më të sigurt, personat me astmë këshillohen të rrisin gradualisht intensitetin e ushtrimeve, të kryejnë nxehjen dhe qetësimin pas aktivitetit, si dhe të informojnë personat me të cilët stërviten për gjendjen e tyre shëndetësore.

Gjithashtu, duhet të kenë me vete inhalatorin e përshkruar nga mjeku dhe ta përdorin atë sipas udhëzimeve mjekësore.

Nëse shfaqen simptoma të astmës, aktiviteti duhet të ndërpritet dhe të ndiqet plani i trajtimit të rekomanduar nga mjeku.

Kontrolli i mirë i astmës dhe zgjedhja e një aktiviteti fizik të përshtatshëm mund t’i ndihmojnë pacientët të ruajnë një jetë aktive, pa hequr dorë nga përfitimet që sjell sporti për shëndetin fizik dhe mirëqenien e përgjithshme. /os/

Burimi: ata.gov.al

Të fundit Të gjitha