Një grua ka ndërruar jetë në Spitalin e Përgjithshëm të Tivarit, në Mal të Zi, pasi sipas dyshimeve u qëllua me armë zjarri nga bashkëshorti i saj, i cili më pas dyshohet se kreu vetëvrasje.
Ngjarja në lagjen Bjeliši të Tivarit
Sipas mediumit malazez “Vijesti”, burri me inicialet Z.S. dyshohet se ka qëlluar me armë zjarri bashkëshorten e tij, D.K., në banesën e tyre në lagjen Bjeliši të Tivarit.
Ngjarja ndodhi të martën, më 27 tetor, rreth orës 14:00.
Policia e Malit të Zi ka konfirmuar se zyrtarët policorë, pasi morën informacionin për të shtëna me armë zjarri, shkuan në vendin e ngjarjes, ku e gjetën Z.S. pa shenja jete.
Sipas të dhënave fillestare të policisë, ai dyshohet se ka përdorur një pistoletë për ta qëlluar gruan, e cila kishte marrë plagë kërcënuese për jetën. Më pas, dyshohet se e njëjta armë është përdorur edhe për vetëvrasjen e tij.
Gruaja ishte transportuar nga ekipi i emergjencës në Spitalin e Përgjithshëm të Tivarit, por nuk arriti t’u mbijetojë plagëve.
“D.K., e cila pësoi lëndime kërcënuese për jetën në këtë rast, ndërroi jetë nga plagët e marra në Spitalin e Përgjithshëm në Tivar”, thuhet në njoftimin e Drejtorisë së Policisë së Malit të Zi. /Insajderi.org/
Burimi: insajderi.org









