Qeveria do të shtojë më tej kufizimet për përdorimin e parave në dorë për pagesa. Në ndryshimet që do të bëhen në projektligjin “Për Procedurat Tatimore”, është parashikuar një gjobë prej 10% të faturës nëse pagesa me para në dorë tejkalon kufirin e përcaktuar nga qeveria.
“Tatimpaguesit, personat fizikë, individët tregtarë dhe të vetëpunësuarit ose entitetet, që kryejnë transaksione shitjeje ose blerjeje me para në dorë, në kundërshtim me kufizimet e përcaktuara në pikat 1 dhe 3 të nenit 59 të këtij ligji, dënohen me gjobë në masën 10 për qind të vlerës së secilit transaksion”, thuhet në projektligj.
Në praktikë, nëse një biznes kryen një pagesë në cash me vlerë 200 mijë lekë, ndërkohë që kufiri është 100 mijë lekë, do të paguajë një gjobë prej 20,000 lekësh.
Që nga ky vit, qytetarët nuk mund të kryejnë transaksione me vlerë më të lartë se 500 mijë lekë, ndërsa bizneset jo më të lartë se 100 mijë lekë.
Rritja e parave në qarkullim
Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, në gusht 2026 vlera e parave në qarkullim cash arriti në 534,1 miliardë lekë, nga 483,4 miliardë lekë në fund të dhjetorit 2025, pra një rritje prej 10,5%.
Rritja e parave jashtë bankave vjen në një periudhë kur institucionet po zbatojnë masa për të kaluar në një ekonomi “cashless”, pra pa para në dorë.
Rritja e cash-it vjen si rezultat i disa faktorëve, nga zgjerimi i aktivitetit ekonomik, rritja e konsumit, sezoni turistik që shton fluksin e parave, por edhe për shkak të informalitetit apo pastrimit të parave.
Pasojat e përdorimit të gjerë të cash-it
Përdorimi masiv i pagesave me para në dorë ka kosto dhe pasoja negative për ekonominë, pasi qarkullimi i parasë është i pakontrolluar dhe krijon më shumë mundësi për informalitet, ndërsa gjurmimi i transaksioneve është thuajse i pamundur.
Burimi: lajmifundit.al










