Kalo te përmbajtja

Lajme të shpejta, të verifikuara dhe të paanshme

Lajm i fundit
Kronikë

Gjykata Speciale sqaron vizitat hulumtuese të Tërndafilovës në Rusi

Gjykata Speciale sqaron vizitat hulumtuese të Tërndafilovës në Rusi
Foto: gazetaexpress.com

Një CV e presidentes së Dhomave të Specializuara të Kosovës, Ekaterina Trendafilova, e hartuar në vetën e parë dhe e përdorur prej saj për një pozicion në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë (ICC), tregon se gjyqtarja bullgare ka ndjekur edhe një specializim në Rusi, konkretisht në “Institute of State Law” me qendër në Moskë.

Besnik Velija

Sipas CV-së, Trendafilova kishte qëndruar në kryeqytetin rus për një specializim në “Drejtësi Penale”. Këtë formim shtesë ajo e ka kryer gjatë qershorit të vitit 1983 dhe janarit të vitit 1985.

Në një përgjigje për Gazetën Express, Dhomat e Specializuara të Kosovës kanë sqaruar se bëhet fjalë për dy udhëtime njëmujore të Trendafilovës për kërkime të pavarura.

Për sa i përket pyetjes se kush i kishte financuar ato, nga Gjykata Speciale sqarojnë se Trendafilova i ka paguar vetë këto dy vizita njëmujore.

“Në fakt, rreshtat në CV-në që bashkëngjitni tregojnë se ajo ka realizuar dy vizita të shkurtra, 30-ditore, të financuara nga vetë ajo, në cilësinë e studiueses për të kryer kërkime të pavarura”, ka thënë zëdhënësi i Gjykatës Speciale, Michael Doyle.

Përgjigja e Gjykatës Speciale

Në përgjigjen për Express, Doyle ka bashkëngjitur gjithashtu lidhjen ku ndodhet CV-ja e Trendafilovës në faqen e Gjykatës Speciale, ku nuk përmendet fare pjesa e shkollimit të saj shtesë në Rusi.

Gjyqtarja bullgare, Ekaterina Trendafilova, drejton Dhomat e Specializuara të Republikës së Kosovës që nga themelimi i tyre. Puna e Gjykatës, që nga ngritja e aktakuzës ndaj ish-krerëve të UÇK-së e deri te mbajtja e tyre në paraburgim për vite të tëra, është shoqëruar me kritika nga Kosova, ndërkohë që shtetet perëndimore që e financojnë dhe e përkrahin gjykatën kanë bërë thirrje për respektimin e saj.

Kritikat ndaj Gjykatës Speciale

Kritikat ndaj Gjykatës Speciale nuk kanë qenë vetëm politike. Përveç Avokatit të Popullit të Kosovës, vërejtje për punën e kësaj gjykate ka pasur edhe Komiteti për të Drejtat e Njeriut i Odës së Avokatëve të Anglisë dhe Uellsit.

Megjithatë, vetë Gjykata Speciale i ka quajtur “interpretime të pasakta” gjetjet në raportin britanik.

Gjykata Speciale ka qenë nën thumb të kritikave edhe pas vendimit të fundit për dënimin e katër ish-krerëve të UÇK-së: Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit. Në Kosovë janë organizuar edhe protesta, të cilat janë ndalur vetëm pas kalimit në Kuvend të ndryshimeve të Ligjit të propozuara nga Partia Demokratike e Kosovës.

Këto ndryshime janë kthyer përsëri në Kuvend nga Presidentja e Kosovës, Justina Pula-Shiroka, dhe pritet që të trajtohen përsëri nga Komisioni për Legjislacion./GazetaExpress/

Burimi: www.gazetaexpress.com

Të fundit Të gjitha