Dr. Kiana Aran, profesoreshë e bioinxhinierisë në Universitetin e Kalifornisë, përjetoi një eksperiencë të jashtëzakonshme pasi kaloi pesë ditë e vetme në një shpellë në Poloni, pa dritë, pa zëra dhe pa asnjë kontakt me njerëz të tjerë.
Ky eksperiment, i zhvilluar në nëntor të vitit 2024, kishte si qëllim studimin e ndikimit që ka privimi nga shqisat në trupin dhe mendjen e njeriut. Aran shpresonte se izolimi do t’i sillte qetësi mendore dhe do t’i ndalte mendimet e vazhdueshme, por përvoja doli shumë më e vështirë sesa kishte menduar.
Gjatë qëndrimit të saj, ajo kishte në dispozicion një shtrat, një banjë dhe një dush, ndërsa ushqimi i sillte një herë në ditë, në orare të paparashikueshme. Megjithatë, mungesa e dritës dhe izolimi shkaktuan një sërë efektetesh të çuditshme.
Halucinacione dhe perceptime të çuditshme
Aran rrëfeu se kishte parë qartë nënën, kushëririn dhe gjyshen e saj, të cilët kishin vdekur vite më parë. Ajo nuk arrinte të kuptonte nëse po ëndërronte apo po përjetonte halucinacione.
Deri në ditën e dytë, izolimi ishte bërë aq i rëndë, saqë ajo ndihej e shqetësuar dhe mezi priste të dilte.
“Pyesja veten se si do të mund të qëndroja edhe tri ditë të tjera aty. Nuk bëja asgjë”, tregoi ajo, duke e përshkruar përvojën si një formë torture, sipas Klankosova.tv.
Ndërkohë, shijet dhe teksturat e ushqimit iu dukën shumë më intensive, ndërsa ajo filloi të perceptonte edhe konturet e objekteve, pavarësisht errësirës së plotë. Studiuesit vunë re gjithashtu ndryshime në reagimin imunitar, në mikrobiomën e zorrëve dhe në orën biologjike të trupit.
Përvoja që i ndryshoi këndvështrimin për jetën
Pavarësisht vështirësive, pas daljes nga shpella, Aran tha se ndihej më mirënjohëse, më e duruar dhe më e dhembshur ndaj të tjerëve.
Kur doli në ditën e pestë, ajo përqafoi kolegët dhe miqtë që e prisnin, e më pas u zhyt në një liqen të ngrirë pranë shpellës.
“Uji i akullt më përvëloi lëkurën, por pas pesë ditësh në errësirë, ishte kujtuesi më i fuqishëm se isha gjallë”, shkroi ajo në revistën shkencore Nature.
Shkencëtarja tha se ndjenja e mirënjohjes vazhdon ta shoqërojë edhe sot, duke e bërë të vlerësojë më shumë gjithçka që ka rreth vetes.
Burimi: www.gazetaexpress.com









