PRISHTINË, 28 tetor/ATSH/Në varrezat e qytetit të Mitrovicës së Veriut janë zbuluar mbetje mortore më 27 tetor, të cilat dyshohet se mund t’i përkasin viktimave të luftës së fundit në Kosovë.
Gërmimet në varrezat e Mitrovicës së Veriut
Agron Limani, kryetar i Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, deklaroi për Radion Evropa e Lirë se gërmimet vlerësuese në një lokacion brenda hapësirës së varrezave të besimtarëve myslimanë në Mitrovicë të Veriut përbëjnë vazhdimësi të gërmimeve të kryera më 20 tetor të këtij viti.
Sipas tij, mbetjet mortore janë transportuar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për ekzaminimet e nevojshme, përfshirë analizat e ADN-së, “me qëllim të përcaktimit të identitetit”.
Limani nga Komisioni Qeveritar për Personat e Zhdukur theksoi se, në varësi të rezultateve të ekzaminimeve mjekoligjore, “konsiderojmë se lokacioni do të mbetet me interes për verifikime dhe veprime të mëtejshme në kuadër të procesit të ndriçimit të fatit dhe vendndodhjes së personave të zhdukur me dhunë gjatë luftës në Kosovë”.
Zbulimet në Zubin Potok dhe Grupi i Intelektualëve
Gërmimet dhe gjetja e mbetjeve mortore në Mitrovicë të Veriut vijnë pasi në Zubin Potok – po në veri të Kosovës – u zbuluan tri varreza masive dhe u gjetën mbetjet mortore të të paktën 23 personave.
Autoritetet kanë identifikuar tashmë tri viktimat e para dhe ata i përkasin “Grupit të Intelektualëve”.
Grupi prej 23 “intelektualësh” ishte një grup shqiptarësh, mes tyre veprimtarë, profesionistë dhe figura publike nga zona e Mitrovicës, të cilët u zhdukën në zonën e Zubin Potokut më 19 prill të 1999-ës.
Kosova ka arrestuar tashmë disa persona lidhur me vrasjen e civilëve që lidhen me “Grupin e Intelektualëve”.
Sipas Institutit të Krimeve të Kryera Gjatë Luftës në Kosovë, 1.577 persona vazhdojnë të jenë të zhdukur nga lufta e viteve 1998-1999, ndërsa janë dokumentuar gjithsej 12.230 viktima të luftës.
/KosovaPress/
Burimi: ata.gov.al









