Nëntë gra të vrarë brenda familjes në Kosovë vetëm gjatë vitit 2026, edhe pse ky vit ende nuk ka përfunduar. Me gjithë zemër shpresoj që ky numër të mos rritet më dhe që këto të jenë viktimat e fundit.
Pas çdo vrasjeje, ne si shoqëri shprehim dhimbjen, zemërimin dhe ngushëllimet tona. Secili në mënyrën e vet, sipas kapacitetit të vet, mundohet të thotë diçka, të shprehë një mendim, të japë një mesazh apo të tregojë njëfarë mençurie. Pastaj fillon pothuajse një garë e heshtur: kush po shkruan më bukur, kush po e bën reagimin më prekës, kush po merr më shumë klikime, kujt po i shpërndahet më shumë postimi dhe kujt po i “dhez” më shumë fjala. Por në gjithë këtë zhurmë, a po e dëgjon dikush vërtet zërin e grave që ende jetojnë në dhunë?
Dhe çfarë ndodh më pas? Asgjë. Heshtim. Vazhdojmë jetën tonë. Harrojmë. Deri në tragjedinë e radhës. Deri te fotografia e radhës që shpërndahet në rrjetet sociale, e shoqëruar me fjalët: “Sa e dhimbshme! Ngushëllime familjes!” Por a duhet patjetër të vdesë një grua që ne si shoqëri ta marrim seriozisht dhunën që ajo ka përjetuar sa ishte gjallë?
Përvoja e një këshilltareje me gratë shqiptare në Gjermani
Si këshilltare në fushën e psikologjisë, që punoj me shumë gra shqiptare në Gjermani, dua të ndaj një përvojë nga puna ime, për të cilën deri më sot kam folur vetëm në mënyrë të përgjithshme, përmes videove të mia sensibilizuese. Për shkak të konfidencialitetit profesional dhe mbrojtjes së të dhënave personale (Datenschutz), nuk mund të ndaj histori apo informacione që do t’i bënin klientet e mia të identifikueshme. Por ka diçka për të cilën nuk dua të hesht më.
Kam pasur përballë gra të reja shqiptare, të cilave shenjat e dhunës fizike nuk ua mbulonte dot as grimi. Gra që kishin përjetuar dhunë fizike dhe psikologjike nga bashkëshortët e tyre. Gra që jetonin me frikë, që ndiheshin të pafuqishme dhe që shpesh nuk gjenin mbështetje as te njerëzit më të afërt. Por ajo që më trondit edhe më shumë është fakti se jam kërcënuar personalisht nga nëna të këtyre grave, vetëm sepse i kam këshilluar vajzat e tyre të kërkojnë ndihmë dhe mbrojtje nga institucionet gjermane. Jo rrallë më është thënë: “Nëse ti e këshillon çikën time me u nda prej burrit, dije që kemi me u marrë vesh si shqiptarët!”
Dhe po, këto kërcënime nuk më kanë ardhur as nga baballarët e as nga burrat dhunues, por nga gra. Nga nëna. Nga ato gra që do të duhej të ishin streha më e sigurt për vajzat e tyre. Kur një nënë shqetësohet më shumë se mos i ndahet vajza nga burri, sesa për faktin që vajza e saj po dhunohet, atëherë nuk kemi të bëjmë vetëm me një problem individual apo familjar. Kemi të bëjmë me një problem shumë më të thellë kolektiv, me një mentalitet shoqëror që në disa raste e normalizon dhunën dhe e konsideron ndarjen si turp më të madh sesa vetë dhunën.
Transmetimi ndërbrezor i traumës dhe normalizimi i dhunës
Këtu dua të ndalem te një aspekt i rëndësishëm psikologjik. Në psikologji flasim për transmetimin ndërbrezor të traumës (intergenerationale Traumatisierung) dhe normalizimin e dhunës. Një grua që është rritur duke parë nënën e saj të dhunohet, apo që vetë ka përjetuar dhunë për vite me radhë, mund të mësojë ta perceptojë dhunën si pjesë të zakonshme të jetës bashkëshortore. Mund të zhvillojë mekanizma psikologjikë mbijetese, përmes të cilëve e minimizon, e arsyeton apo e normalizon atë që ka përjetuar. Në disa raste, kjo mund të lidhet edhe me fenomenin që në psikologji njihet si pafuqia e mësuar (erlernte Hilflosigkeit), kur një person, pas përjetimeve të përsëritura në të cilat është ndier pa kontroll mbi situatën, mund të fillojë të besojë se nuk ka mundësi ta ndryshojë realitetin e tij.
Dhe ajo që më shqetëson është se këto modele të të menduarit ndonjëherë transmetohen nga një brez te tjetri, edhe nga nëna te vajza. Kështu, një grua që dikur ka qenë vetë viktimë e dhunës, në vend që ta mbështesë vajzën e saj për ta ndërprerë këtë cikël, mund t’i thotë: “Edhe unë kam duruar”, “Edhe mua më ka rrahur burri, por nuk jam ndarë”, “Martesa nuk prishet për këto gjëra”, apo “Duro, se çka kanë me thënë njerëzit?” Por kush tha se vuajtja e një nëne duhet të bëhet fati i vajzës së saj? Kush tha se vetëm pse ti dikur nuk ke pasur mundësi të kërkosh ndihmë, vajza jote duhet të jetojë të njëjtën jetë?
Natyrisht, jo çdo grua që ka përjetuar dhunë e normalizon atë. Përkundrazi, shumë nëna janë pikërisht ato që e ndërpresin këtë cikël dhe bëhen mbrojtëset më të forta të vajzave të tyre. Por kur një nënë që ka përjetuar dhunë fillon ta justifikojë dhunën ndaj vajzës së saj, atëherë kemi të bëjmë me një model të rrezikshëm që duhet ndërprerë. Trauma mund të na ndihmojë ta kuptojmë pse dikush e normalizon dhunën, por nuk e justifikon atë. Të kuptosh mekanizmat psikologjikë që qëndrojnë pas një sjelljeje nuk do të thotë ta arsyetosh atë sjellje apo t’ia heqësh individit përgjegjësinë.
Dhe këtu dua të jem shumë e qartë: Unë nuk i këshilloj gratë të shkatërrojnë martesat e tyre. Unë i këshilloj të mos lejojnë që martesa t’ua shkatërrojë jetën. Të kërkosh ndihmë nga policia, institucionet sociale apo qendrat për mbrojtjen e grave në Gjermani nuk është tradhti ndaj bashkëshortit, familjes apo kulturës shqiptare. Është një e drejtë themelore e çdo gruaje.
Dua t’u drejtohem veçanërisht nënave shqiptare: Kur vajza juaj ju thotë se po dhunohet, mos i thoni të durojë se ju keni hequr edhe më shumë. Mos e frikësoni me atë se çfarë do të thotë hallku. Mos e bindni të heshtë e të durojë vetëm që martesa të duket e mirë për sy të botës e për inat të të tjerëve. Më mirë ta keni vajzën të ndarë, por të gjallë, të sigurt dhe të lirë, sesa ta vajtoni një ditë mbi varrin e saj.
Le ta ndërpresim ciklin e dhunës, jo jetën e grave. Asnjë grua më pak. Asnjë vajzë e sakrifikuar për hir të familjes dhe për hir të mentalitetit.
Burimi: www.kosovarja-ks.com









