Gjykata Administrative e Apelit vendosi të mërkurën të pezullojë zbatimin e dy vendimeve të Këshillit të Përgjithshëm të Dhomës Kombëtare të Avokatisë, që kishin të bënin me bojkotimin e seancave gjyqësore dhe atyre të hetimit paraprak në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë, GJKKO. Vendimi u mor nga gjyqtarja Enerjeta Shehaj, e cila pranoi kërkesën e Shoqatës së Avokatëve Antikorrupsion Shqiptare, SHAASH, për marrjen e sigurimit të padisë duke pezulluar zbatimin e vendimeve të Dhomës Kombëtare të Avokatisë për bojkotimin e seancave në GJKKO. Kundër këtij vendimi lejohet të kryhet rekurs në Kolegjin Administrativ të Gjykatës së Lartë brenda pesë ditëve, nga momenti i komunikimit të vendimit të arsyetuar.
Reagimi i kryetarit të Dhomës së Avokatisë
Kryetari i Dhomës së Avokatisë, Maksim Haxhia, gjatë një komunikimi telefonik pasditen e të mërkurës tha se, në atë moment nuk kishte mundësi të vijonte bisedën për shkak të një angazhimi.
Fillimi i konfliktit dhe përshkallëzimi i bojkotit
Konflikti mes Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë dhe Dhomës Kombëtare të Avokatisë nisi më 1 shtator, kur hyri në fuqi një rregullore e re për sigurinë dhe sjelljen në ambientet e gjykatës, e cila ndalon mbajtjen dhe përdorimin e telefonave celularë në sallat e gjykimit.
Po atë ditë, Dhoma Kombëtare e Avokatisë i kërkoi gjykatës rishikimin e disa dispozitave të rregullores, veçanërisht atyre që kufizonin përdorimin e celularëve, me argumentin se ndalimi cenonte ushtrimin e profesionit të avokatit.
Në mungesë të një zgjidhjeje, më 8 shtator, Këshilli i Përgjithshëm i Dhomës së Avokatisë vendosi bojkotin pa afat të proceseve gjyqësore në GJKKO, duke përjashtuar fillimisht seancat për caktimin, zëvendësimin ose shuarjen e masave të sigurimit, si dhe çështjet e lidhura me amnistinë.
Dy javë pas kërkesës fillestare, Gjykata e Posaçme refuzoi ndryshimin e rregullores, duke argumentuar se ndalimi i celularëve zbatohej njësoj për gjyqtarët, prokurorët, gazetarët dhe të gjithë personat e pranishëm në sallë.
Sipas gjykatës, avokatët mund të përdornin kompjuterët portativë për konsultimin e dosjeve dhe kishin në dispozicion mjetet ligjore për ta kundërshtuar rregulloren.
Refuzimi i gjykatës u pasua nga përshkallëzimi i bojkotit. Me një vendim të dytë, Dhoma e Avokatisë e shtriu atë edhe te seancat për masat e sigurimit personal dhe çështjet që lidhen me hetimet paraprake, duke paralajmëruar procedime disiplinore për avokatët që nuk respektonin vendimin.
Nga ana tjetër, Gjykata e Posaçme nisi vendosjen e gjobave ndaj avokatëve që nuk paraqiteshin në seanca. Gjykata e Posaçme thirri në cilësinë e mbrojtësve edhe avokatët e Zyrës së Ndihmës Juridike Falas pranë Ministrisë së Drejtësisë, por ata nuk u paraqitën me argumentin se i qëndronin bojkotit.
Rreth një javë më parë, Komiteti Disiplinor pranë Dhomës Kombëtare të Avokatisë vendosi t’i pezullojë licencën për një periudhë dyvjeçare avokatit Ervin Beqiri, pasi u konstatua se ai kishte marrë pjesë në një seancë për zëvendësim mase sigurie.
Burimi: www.reporter.al










