Këtë të mërkurë, Sali Berisha përsëriti qëndrimin e opozitës për të mbështetur në çdo formë protestën e studentëve. Në takimin me grupin parlamentar të Partisë Demokratike, ai u bëri thirrje demokratëve të marrin pjesë në këtë protestë, duke u garantuar se PD do të mbrojë kërkesat e studentëve.
“Ne kemi lindur në protestë, mbetemi parti e protestës, do të jemi parti e protestës. Kjo nuk ka dyshim. Prandaj edhe protestat e studentëve do të kenë mbështetjen më të fuqishme të Partisë Demokratike”, deklaroi Berisha.
Berisha kundër kërkesave për largimin e tij
Nga ana tjetër, Berisha iu përgjigj nga larg të gjithë atyre që kërkojnë largimin e tij së bashku me largimin e kryeministrit Edi Rama. “Ua them hapur këtu, sepse mund të shkosh kudo, mund të mendosh çdo gjë, por t’i caktosh një partie kryetarin që zgjidhet nga anëtarët e saj, tregon që ti je një fatkeqësi individuale, je njeri fatkeq në shkallë ekstreme me setapin tënd psikologjik”, tha Berisha.
Kritikat ndaj Arlind Qorit dhe “Lëvizjes Bashkë”
Kritikat më të ashpra Berisha i drejtoi veçanërisht ndaj Arlind Qorit dhe “Lëvizjes Bashkë”, si dhe ndaj qëndrimit të tyre lidhur me protestën e flamingove. “Por ky ritual përsëritej çdo ditë në një kohë kur bandat e Qorrit të Ramës, të Arlind Qorrit, terrorizojnë qytetin me grusht çdo natë: E viva, rroftë komunizmi!”, përfundoi Berisha.
Burimi: kohajone.com










