Gjatë konferencës për mediat të kësaj të mërkure, kryeministri Edi Rama komentoi protestën studentore dhe aktet e dhunshme të regjistruara gjatë tubimeve në Tiranë, duke u ndalur edhe te dëmet e shkaktuara.
Ai i përshkroi këto akte si një shfaqje “anti-njerëzillëku”, e cila sipas tij imponon vullnetin mbi shumicën e qytetarëve që kërkojnë të jetojnë të qetë.
Buxheti i vitit 2027 dhe pensionet
Rama foli edhe për buxhetin e vitit 2027, rritjen e pensioneve dhe masat që qeveria synon të marrë për të lehtësuar familjet përballë kostove të jetesës.
Kryeministri deklaroi se rritja ekonomike i ka dhënë qeverisë mundësinë që rritja e pensioneve të dyfishohet në vitet në vijim. Ai tha se është i vetëdijshëm për rritjen e çmimeve të ushqimeve dhe të naftës.
Rama njoftoi gjithashtu se buxheti i vitit 2027 do t’i përcillet Kuvendit dhe do të kalojë për herë të parë pragun e 10 miliardë eurove.
Sipas tij, edhe borxhi publik ka zbritur në një nivel historikisht të ulët.
Pjesë nga fjala e Ramës:
“Ekonomia na e ka dhënë mundësinë, rritja e pensioneve të dyfishohet në çdo vit pasardhës. Rritja e këtij viti do të jetë e dyfishuar, e kam thënë për ata që e bënë madhështore protestën e Flamingos, jam i vetëdijshëm nga rritja e kostos së ushqimeve apo e naftës.
Vetëm tre ditë më parë ju thashë se do t’ju bëja me dije masat e reja për lehtësimin e familjeve të zakonshme. Sot i përcjellim Kuvendit buxhetin 2027, kalon pragun e 10 mld eurove për herë të parë në histori. Borxhi publik ka rënë në një prag të poshtëm historik po ashtu. E thonë të gjitha shifrat dhe faktet se ekonomia është ndër më dinamiket në rajon. Prekja e pragut prej 30 mld euro të prodhimit të përgjithshëm kombëtar, e ilustron panoramën optimiste.
Në buxhetin e 2027, kemi planifikuar një sërë masash ambicioze. Mesazhi është i qartë: Më shumë biznese, më shumë kompani, investime, njerëz të pasur në Shqipëri. Ndaj mbetemi partizanë të taksimit të ndershëm”.
Burimi: www.albeu.com









