Ish-kryetari i Aleancës, Ramush Haradinaj, deklaroi se mbiemri i familjes Haradinaj po përdoret në rastin e vrasjes së Arlinda Zekajt, sepse Aleanca nuk i është bindur regjimit të Kurtit.
Kohët e fundit në opinion është lënë të kuptohet se i dyshuari për vrasjen e Zekajt dhe vëllai i tij, ish-bashkëshorti i Arlindës, janë konsideruar “të fortë” nga viktima për shkak të lidhjeve me Haradinajt.
Haradinaj: Lidhja me rastin po bëhet nga regjimi i Kurtit
Sipas Haradinajt, kjo lidhje po krijohet nga regjimi i Kurtit nga frika se qytetarët do të dalin në protesta, por ai theksoi se do t’i mbështesë ata nëse vendosin ta bëjnë një gjë të tillë.
“Ne kemi pasur kujdes të mos e keqpërdorim tragjedinë e askujt dhe kemi ruajtur vlerën dhe dinjitetin e familjes shqiptare. Sulmet që bëhen ndaj nesh nuk kanë të bëjnë me emrin dhe mbiemrin tim, por kanë të bëjnë me faktin se Aleanca nuk i nënshtrohet regjimit. Ata, duke parë që ne nuk nënshtrohemi, po përdorin sulme të ndryshme dhe shpifje të ndryshme ndaj nesh nga frika se qytetarët do të dalin në rrugë për të gjitha këto të padrejta që po i bëhen qytetarit të vendit. Po nëse qytetarët dalin në rrugë, ne do t’i mbështesim. Por, asnjëherë nuk do t’i nënshtrohemi regjimit të Kurtit”, ka deklaruar Haradinaj përmes një videoje të publikuar në faqen e tij në Facebook.
Haradinaj më tej tha se si subjekt politik dhe parti opozitare vazhdimisht e kanë ngritur zërin si për çështjen e energjisë, ashtu edhe për ndërhyrjet në Prokurori e Gjyqësor.
“Kryetari Gjini dhe Aleanca nuk u bënë pjesë e lojërave në takime me Kurtin. Aleanca ka kërkuar interpelancë për situatën me energji, për abuzimet me tregti me energji. E kemi ngritur zërin në vazhdimësi për tenderat njëburimor. E kemi ngritur zërin për ndërhyrjet në Prokurori e Gjyqësor dhe në të gjitha institucionet e pavarura të vendit. Me të drejtë e ngrisim zërin edhe për rastin e vrasjes së një nëne”, ka thënë Haradinaj duke iu referuar vrasjes së Arlinda Zekajt.
Burimi: insajderi.org









