Kalo te përmbajtja

Lajme të shpejta, të verifikuara dhe të paanshme

Lajm i fundit
Politikë

Kryetari i Forumit për Marrëdhënie Etnike: Qeveria e re serbe të mos ndjekë linjën e Vuçiqit

Kryetari i Forumit për Marrëdhënie Etnike: Qeveria e re serbe të mos ndjekë linjën e Vuçiqit
Foto: gazetaexpress.com

Rrëzimi i pushtetit të Aleksander Vuçiçit në Serbi pritet të sjellë dinamika të reja si brenda vendit serb ashtu edhe në rajon. Njohësit e zhvillimeve në Serbi dhe rajon kanë shprehur shqetësime lidhur me politikën që do të ndjekë “Lista e Studentëve” pas fitores në zgjedhje, shkruan Gazeta Express.

Besnik Velija

Çështja e Kosovës dhe Dialogu i Brukselit

Çështja e Kosovës, Dialogu i Brukselit dhe marrëdhëniet me shtetet e tjera të rajonit janë ndër pikat më të ndjeshme. Gazetari gjerman Michael Martens ka deklaruar se programi politik i kësaj liste është “i tmerrshëm”, pasi ndjek të njëjtin mentalitet si ai i Aleksander Vuçiçit.

Për këtë çështje, në një intervistë për Gazetën Express ka folur analisti serb Dushan Janjiq. Ai është shprehur se shpreson që “Lista e Studentëve” të mos ndjekë politikën e Vuçiçit dhe sipas tij, ata duhet të ndryshojnë politikën dhe metodologjinë e punës.

“Shpresoj që nuk do të ndjekin metodologjinë dhe mënyrën e menaxhimit të situatës siç bëri Vuçiçi. Ata duhet ta ndryshojnë politikën, veçanërisht duhet të ndryshojnë modelin e punës. Qeveria e re nuk do të jetë në pozitë të zhvillojë bisedime sekrete. Brukseli duhet t’i harrojë bisedimet e nivelit të lartë pa publicitet”, ka thënë Janjiq për Express.

Ai ka shtuar se do të ndërrohet edhe ekipi negociator dhe se do të nevojitet një periudhë kohore derisa qeveria e re të njihet me procesin e negociatave.

Janjiq pret më shumë pragmatizëm dhe transparencë nga “Lista e Studentëve” sa i përket negociatave të Brukselit.

E ardhmja e “Listës Serbe”

Sa i përket “Listës Serbe” dhe fatit të saj si parti pas rënies së Vuçiçit në Beograd, Janjiq thotë se kjo parti duhet të gjejë një politikë të re, pasi nuk është partner i shumicës së re dhe as i qeverisë së re.

“Duke parë se çfarë po bën Vuçiçi me partinë e tij, do të them se do të heqin dorë. Lista Serbe duhet të gjejë një politikë të re, sepse nuk është partner i shumicës së re dhe i qeverisë së re”, ka thënë Janjiq./Express/

Burimi: www.gazetaexpress.com

Të fundit Të gjitha