ISHP konfirmon se në vend po qarkullojnë disa infeksione të rrugëve të sipërme të frymëmarrjes dhe mes tyre është izoluar në laborator edhe virusi i tipit A.
Me rreth 12 mijë infeksione respiratore në javë, epidemiologia Marjeta Dervishi e vlerëson ende të qetë situatën epidemiologjike, ndërsa paralajmëron se piku i infektimeve do të vijë në janar.
Virusi AH1N1 dhe simptomat
“Kemi arritur të identifikojmë rastet e para me grip dhe gjithashtu kemi vijuar me identifikimin e rasteve me SARS-CoV-2. Ne presim që numri i rasteve me grip të rritet në javët në vijim, duke arritur pikun në fund të muajit janar dhe në fillim të muajit shkurt”, u shpreh epidemiologia.
Virusi AH1N1 që po qarkullon aktualisht shkakton simptoma të ngjashme me gripin sezonal dhe karakteristikë ka fillimin e papritur të shenjave klinike.
“Fillim i menjëhershëm dhe i papritur, me temperaturë të lartë, dhimbje muskulore, dhimbje koke, dhimbje fyti në raste të caktuara dhe, sigurisht, mund të shoqërohet edhe me kollë”, tha Dervishi.
Thirrja për vaksinim
Autoritetet e shëndetit publik i bëjnë thirrje popullatës, kryesisht grupeve në risk, të vaksinohen ndaj gripit, pasi në rastet e rënda ky infeksion bëhet i rrezikshëm duke përkeqësuar sëmundjet kronike dhe mund të çojë deri në fatalitete. Aktualisht, sipas ISHP, 51% e dozave të vaksinës së shpërndarë në popullatë është përthithur.
Gazetare: Sonila Mlloja
/rtsh.al/
Burimi: rtsh.al










