Ngjyra kafe e buzëkuqit po kthehet sërish në qendër të vëmendjes këtë vjeshtë, duke u bërë një nga zgjedhjet më elegante për grimin e përditshëm. Sipas profesionistëve të grimit, kjo është një nga nuancat më të gjithanshme, pasi mund të përshtatet me tone të ndryshme të lëkurës dhe të krijojë pamje nga më natyralja deri te më e guximshmja.
Artistët profesionistë të grimit theksojnë se buzëkuqi ngjyrë kafe nuk kufizohet vetëm në një nuancë apo stil. Ai ofrohet në versione të ngrohta, të ftohta, me shkëlqim, mat apo edhe me efekt metalik.
Sipas artistit të grimit Kasey Spickard, nuancat kafe mund të duken bukur në të gjitha ngjyrat dhe nëntonet e lëkurës. Sekreti qëndron te zgjedhja e nuancës së duhur.
Si të zgjidhet nuanca e përshtatshme e kafes?
Artistët e grimit këshillojnë që gjatë përzgjedhjes së buzëkuqit të merret parasysh nëntoni i vetë produktit, pasi ngjyra kafe mund të ketë nuanca të arta, pjeshke, rozë, të kuqe apo vjollcë të zbehtë.
Sipas artistit të grimit Tim Quinn, ndryshimet e vogla në këto nuanca mund të ndikojnë ndjeshëm në pamjen përfundimtare.
Për personat me nënton të ftohtë të lëkurës ose me lëkurë më të çelët, zakonisht rekomandohen nuancat kafe të ftohta.
Ndërsa për ata me nënton të ngrohtë, ulliri ose me lëkurë më të errët, mund të përshtaten më mirë nuancat e ngrohta.
Gjithashtu, nuancat e çelëta kafe krijojnë një pamje më natyrale, ndërsa ato më të thella, veçanërisht me përfundim mat, japin një efekt më të theksuar dhe elegant.
Si të kombinohet buzëkuqi ngjyrë kafe me grimin?
Për një pamje harmonike, profesionistët sugjerojnë kombinimin e buzëkuqit ngjyrë kafe me nuanca të ngjashme në pjesën e syve.
Hijet në ngjyrë kafe të ngrohtë, bronzi dhe ari krijojnë një pamje të njëtrajtshme dhe shumë elegante. Mund të përdoret gjithashtu laps i errët për sytë, bojë për qerpikët dhe vetulla të theksuara.
Një tjetër këshillë është përdorimi i lapsit ngjyrë kafe për konturimin e buzëve përpara aplikimit të buzëkuqit. Kjo ndihmon në përcaktimin e formës dhe në ruajtjen e ngjyrës për më gjatë.
Gabimet që duhen shmangur
Një nga gabimet më të zakonshme është zgjedhja e një nuance kafe shumë të ngjashme me ngjyrën natyrale të lëkurës. Në këtë rast, buzët mund të humbasin konturin dhe të përzihen vizualisht me pjesën tjetër të fytyrës.
Artistët rekomandojnë gjithashtu përdorimin e pak ngjyre në faqe, përmes një blush-i, në mënyrë që grimi të duket më i freskët dhe më i balancuar.
Burimi: anabelmagazine.com









