Kalo te përmbajtja

Lajme të shpejta, të verifikuara dhe të paanshme

Lajm i fundit
Kronikë

Imami radikal nga Maqedonia e Veriut këshillon Drilon Gashin në Baushtellë

Imami radikal nga Maqedonia e Veriut këshillon Drilon Gashin në Baushtellë
Foto: reporteri.al

Reagimi i Sadullah Bajramit

Imami shqiptar nga Maqedonia e Veriut, Sadullah Bajrami, ka reaguar ndaj imamit kosovar Drilon Gashi, pasi ky i fundit publikoi fotografi ndërsa punonte në një ndërtimtari në Gjermani.

Bajrami, i njohur për qëndrimet e tij radikale, i ka bërë thirrje imamit Gashi të reflektojë.

“Drilon, e mbështes ankesën tënde dhe kërkesën për mundësi të drejta në vendlindje. Nuk je i vetmi që ndjen zhgënjim pas studimeve dhe përpjekjeve për punësim. Allahu ta lehtësojë barrën tënde dhe ta mbrojë familjen! Puna me të cilën fitohet buka me hallall është nder për këdo. Shqetësimi im për ty shkon përtej punës: lidhet me përgjegjësinë për fjalët që ke përhapur publikisht. Ke qenë imam. Ke studiuar në Medinën e të Dërguarit ﷺ. Të njoh dhe i di aftësitë e tua. Prandaj, qëndrimet publike ndaj fesë nuk mund të trajtohen si pakujdesi. Ti e njeh peshën e tyre dhe përgjegjësinë që bartin. Ekrani nuk e zvogëlon përgjegjësinë; e shumëfishon ndikimin”, ka shkruar ai.

“Feja e Allahut mbetet e ruajtur. Shtrembërimi i paraqitjes së saj nuk e ndryshon të vërtetën e saj, por e rëndon përgjegjësinë e atij që e shtrembëron. Pyetja që duhet t’ia bëjë vetes është: çfarë fitova dhe çfarë rrezikova me fjalën time? Rishikoje lidhjen me këdo që e përdor pretendimin e dashurisë për Ehli Bejtin për të nxitur përbuzjen e sahabëve. Dashuria për familjen e të Dërguarit ﷺ nuk e justifikon padrejtësinë ndaj shokëve të tij, të cilët na e përcollën fenë. Si mund të përçmohen ata për të cilët Allahu ka shpallur kënaqësinë e Tij? Ti e njeh paralajmërimin e Allahut në hadithin kudsij: ‘Kush i shpall armiqësi një të dashuri Tim, Unë i shpall luftë’.”, ka vazhduar ai.

Shkrimi i Drilon Gashit

Drilon Gashi, ish-këshilltar i Glauk Konjufcës dhe dikur teolog në Kosovë, ka treguar se ka larguar vendin dhe aktualisht punon në një kantier ndërtimi në Gjermani, pasi, sipas tij, nuk ka arritur të gjejë punësim të qëndrueshëm në vendlindje.

Në një shkrim të publikuar në Facebook, Gashi thotë se në moshën 39-vjeçare e ka gjetur veten në Gjermani, ku vendos pllaka dhe kryen punë të tjera fizike në ndërtimtari, shkruan Insajderi.

“Kam konkurruar për rreth 60 vende pune në Kosovë. Kam trokitur në dyert e institucioneve, kompanive dhe njerëzve me ndikim. Kam përjetuar refuzime, premtime të pambajtura dhe zhgënjime të njëpasnjëshme. Kam punuar edhe për 500–600 euro, në kushte ku ndonjëherë mungonin edhe tualetet për punëtorët. Nuk pretendoj se në çdo konkurs më është bërë padrejtësi, as se çdo dështim im është faj i dikujt tjetër. Edhe unë kam përgjegjësinë time për vendimet që kam marrë…”, ka deklaruar, ndër të tjera, ai.

“Me katër fëmijë, me detyrime bankare dhe përgjegjësi familjare, erdhi një ditë kur nuk mund të prisja më. Mora rrugën e mërgimit”, ka shkruar më tej ai.

Gashi thotë se e do akoma Kosovën, por sipas tij, vendi duhet të jetë edhe një hapësirë ku qytetarët mund të punojnë, të jetojnë dhe t’i rritin fëmijët me dinjitet, e jo të detyrohen ta kërkojnë të ardhmen jashtë saj.

Në vitin 2023, Glauk Konjufca e kishte liruar Drilon Gashin nga detyra e këshilltarit në kabinetin e tij si kryetar i Kuvendit, pasi mediat kishin raportuar për një rast dhune në familje, për të cilin Gashi ishte dënuar me “vërejtje gjyqësore”.

Sipas aktgjykimit të Gjykatës Themelore në Pejë, të vitit 2018, Gashi ishte shpallur fajtor për lëndim të lehtë trupor ndaj bashkëshortes. Ai kishte pranuar fajësinë për rastin, ndërsa gjykata i kishte shqiptuar vërejtje gjyqësore.

Konjufca, kur u pyet për shkarkimin, kishte thënë se shefit të kabinetit i kishte dhënë udhëzime për të marrë masat e nevojshme ndaj Gashit. /Insajderi.org/

Burimi: insajderi.org

Të fundit Të gjitha