Katër nxënës të shkollës së mesme “Naim Frashëri” në Durrës janë shoqëruar nga policia malazeze në qytetin e Kotorit, pas një incidenti që ndodhi gjatë një udhëtimi turistik në Mali i Zi.
Nxënësit, të gjithë djem, e kaluan natën në ambientet e policisë dhe më pas u lanë të lirë.
Sipas informacioneve paraprake të mediave, incidenti ndodhi ditën e djeshme, ndërsa grupi i nxënësve po kthehej nga dreka. Gjimnazistët u përplasën me një grua të moshuar vendase, e cila i pyeti se nga vinin.
Si përgjigje, nxënësit formuan me duar simbolin e shqiponjës dhe qeshën. Në atë moment, e moshuara qëlloi me shpulla një prej tyre, dhe situata u përshkallëzua.
Më pas, gruaja njoftoi policinë, duke pohuar se ishte provokuar nga gjimnazistët. Pas ndërhyrjes, katër nxënësit u shoqëruan në polici, ku kaluan orët e natës.
Pranë tyre ishte edhe një mësuese shoqëruese, e cila shkoi në polici për t’u gjendur pranë nxënësve. Pas lirimit, u kërkua që ata të mos përsërisnin gjeste me simbolet kombëtare.
Lidhur me incidentin, mbrëmjen e kaluar u njoftuan DRAP Durrës dhe Ministria e Arsimit.
Burimi: lajmifundit.al










