Autoritetet e Austrisë kanë bërë një propozim që Vjena të bëhet qendra e një institucioni të ri të Kombeve të Bashkuara (OKB) që do të merret me inteligjencën artificiale (IA). Ky institucion do të bashkojë shtetet, shkencëtarët dhe sektorin e ekonomisë për të studiuar mundësitë dhe rreziqet e kësaj teknologjie, si dhe për të hartuar standarde të përbashkëta sigurie. Lajmin e bëri të ditur Sekretari i Shtetit i Austrisë për Dixhitalizim, Alexander Prell.
Roli i mundshëm i qendrës së OKB-së
Prel vlerësoi se kjo qendër e OKB-së mund të kishte një “rol qendror” në ndërtimin e një kuadri të besueshëm për zhvillimin dhe përdorimin e inteligjencës artificiale.
Siç shkruan Brussels Reporter, ai theksoi se Vjena është një vend i përshtatshëm për selinë e një institucioni të tillë, sepse shumë organizata të OKB-së ndodhen tashmë në kryeqytetin austriak, përfshirë Agjencinë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike (IAEA).
Propozimi ndodhet aktualisht në fazën e iniciativës politike. Austria planifikon të përpunojë konceptin e qendrës gjatë vitit 2027, duke përfshirë mandatin e saj, strukturën organizative dhe mënyrën e financimit.
Konkurrenca me Gjenevën dhe sfondi ndërkombëtar
Kombet e Bashkuara po punojnë tashmë për të krijuar një kornizë ndërkombëtare për qeverisjen e inteligjencës artificiale.
Asambleja e Përgjithshme e OKB-së krijoi një panel shkencor të pavarur dhe një dialog global të rregullt mbi teknologjinë. Takimi i parë i këtij dialogu në Gjenevë mblodhi më shumë se 3,000 pjesëmarrës nga 163 vende.
Megjithatë, propozimi austriak mund të përballet me konkurrencën e Zvicrës, përkatësisht të Gjenevës, e cila ka pritur tashmë dialogun e parë global të OKB-së mbi inteligjencën artificiale.
Iniciativa austriake vjen në një kohë kur gjithnjë e më shumë vende po mbështesin një mbikëqyrje ndërkombëtare më formale mbi sistemet më të avancuara të inteligjencës artificiale. Çështja e menaxhimit të ardhshëm të kësaj teknologjie përfshin gjithnjë e më shumë zgjedhjen e institucioneve që do të luajnë një rol kyç në përcaktimin e rregullave.
Burimi: euronews.al










