Deputeti i Partisë Demokratike, Tomor Alizoti, deklaroi se kryeministri Edi Rama ka humbur legjitimitetin politik dhe paralajmëroi se zemërimi i qytetarëve dhe protestat kundër qeverisë mund të rikthehen me forcë edhe më të madhe. Sipas tij, protestat mund të intensifikohen më tej, pasi pakënaqësia lidhet me stilin e qeverisjes, situatën ekonomike dhe problemet në shëndetësi e arsim.
Alizoti paralajmëron protesta më të forta
”Do të ketë protesta edhe më të forta. Nuk ndalet më. Studentët në Shqipëri protestuan për më shumë se dy vjet dhe ja ku janë tani. Legjitimiteti humbet kur nuk të dëgjon më askush, kur njerëzit nuk duan më të bisedojnë me ty dhe ja ku e kemi arritur. Ai ka ushtruar dhunë, dhuna prodhon dhunë dhe njerëzit do të jenë më të pranishëm. Kjo është e pandalshme. Për këtë arsye do të ishte më mirë të hapte hapësira.
Përplasja dhe etiketimi i studentëve e protestuesve, të cilët nuk janë milionerë si kryeministri dhe jetojnë në vështirësi, do të sjellin reagime të forta. Po të kishte qeverisur mirë Rama, po të kishte ndërtuar një ekonomi të mirë, një shëndetësi të mirë apo një arsim të mirë, nuk do të kishte njerëz në rrugë. Por zoti Rama merr vesh vetëm nga krimi dhe skemat. Ky vend është dëmtuar shumë nga njerëzit e tij, aleatët e tij dhe ministrat e tij”, tha ai.
Burimi: kohajone.com










