Kalo te përmbajtja

Lajme të shpejta, të verifikuara dhe të paanshme

Lajm i fundit
Teknologji

Sistemi i ngrirjes në supermarketet e Europës sulmohet, ushqimet hidhen

Sistemi i ngrirjes në supermarketet e Europës sulmohet, ushqimet hidhen
Foto: euronews.al

Sulmet e raportuara në Evropë

Një seri sulmesh të dyshuara kibernetike ka alarmuar supermarketet në disa vende evropiane. Sulmet kanë shkaktuar ndërprerje të sistemeve të ftohjes dhe dëme të mëdha në produktet ushqimore. Incidente janë raportuar në Belgjikë, Suedi, Estoni, Luksemburg dhe Irlandë, ku frigoriferët dhe ngrirësit e dyqaneve kanë pësuar rritje të menjëhershme të temperaturës, në disa raste deri në 50 gradë Celsius. Situata i ngjan asaj të regjistruar në Francë më 12 tetor, kur qindra supermarkete u përballën me probleme të ngjashme në sistemet e tyre të ftohjes.

Në Belgjikë, ndërhyrjet kanë prekur pika shitjeje të disa prej rrjeteve kryesore tregtare, përfshirë Delhaize, Carrefour, Spar dhe Intermarche. Sipas agjencisë Belga, probleme janë raportuar edhe në një dyqan të IKEA-s. Sulmet dyshohet se kanë ndodhur rreth mesnatës mes së dielës dhe së hënës, me të njëjtin mekanizëm veprimi si në rastin e Francës.

Edhe në Suedi, rritja e menjëhershme e temperaturës ka dëmtuar produktet e ruajtura në ngrirës. Disa dyqane të rrjeteve ICA dhe Coop u mbyllën përkohësisht në orët e para të mëngjesit, për t’u marrë me situatën. Dennis Vidal, drejtues i një prej dyqaneve të prekura në jug të vendit, u shpreh për televizionin publik SVT se punonjësit po boshatisnin ngrirësit, pasi ushqimet ishin dëmtuar dhe nuk mund të shpëtoheshin. Ndërkohë, përfaqësuesi i grupit ICA, Gustaf Nilsson, konfirmoi se një numër i kufizuar dyqanesh ishte prekur nga një incident gjatë natës, i cili kishte cenuar sistemet e ftohjes dhe ngrirjes.

Raste në Estoni, Luksemburg dhe Irlandë

Raste të tjera janë raportuar në Estoni, Luksemburg dhe Irlandë. Sipas mediave evropiane, në Estoni, ndërhyrja në sistemin e kontrollit të një rrjeti supermarketesh bëri që temperatura e një ngrirësi të arrinte 50 gradë Celsius. Në Irlandë, probleme u raportuan edhe në sistemet e ftohjes së disa pikave të shitjes.

Si pasojë e këtyre incidenteve, disa supermarkete janë detyruar të heqin nga raftet dhe të asgjësojnë sasi të mëdha produktesh të freskëta dhe të ngrira, për shkak të ndërprerjes së zinxhirit të ftohjes. Në disa raste, dyqanet u mbyllën përkohësisht për të menaxhuar krizën dhe për të shmangur rrezikun për konsumatorët.

Megjithatë, shkaku i saktë i të gjitha incidenteve nuk është konfirmuar zyrtarisht, dhe hetimet duhet të përcaktojnë nëse bëhet fjalë për sulme të koordinuara. Episodet e fundit e kanë rikthyer shqetësimin për cenueshmërinë e sistemeve të automatizuara që kontrollojnë pajisjet frigoriferike në rrjetet e mëdha tregtare.

Burimi: euronews.al

Të fundit Të gjitha