Paralajmërimi për sulme të reja ndaj energjisë
Volodymyr Zelensky paralajmëroi se Rusia mund të nisë një sulm tjetër masiv ndaj Ukrainës, duke shfrytëzuar ditën e zgjedhjeve të mesmandatit në SHBA për të goditur infrastrukturën energjetike të vendit.
Në një video të postuar në X, presidenti ukrainas tha se Kievi kishte marrë informacione inteligjente që tregojnë përgatitje për sulme të reja ndaj objekteve energjetike dhe rrjeteve furnizuese. Ai theksoi se vëmendja e botës mund të përqendrohet te procesi zgjedhor amerikan, duke lënë zhvillimet në Ukrainë në plan të dytë.
“Vlerësimi është se nesër opinioni publik botëror do të jetë i përqendruar te zgjedhjet e mesmandatit në SHBA, si rezultat i të cilave ajo që po ndodh këtu në Ukrainë, si dhe vështirësitë që kemi me mbrojtjen ajrore dhe raketat Patriot, do të mbeten në plan të dytë”, tha Zelensky.
Thirrje për presion ndaj Moskës
Ai i bëri thirrje Uashingtonit të rrisë presionin ndaj Moskës, sidomos duke kufizuar të ardhurat që Rusia fiton nga shitja e naftës dhe gazit.
“Nuk mund të luajmë me të ardhurat e Rusisë nga nafta apo gazi. Duhet ta presionojmë Rusinë në atë mënyrë sa të mos ketë zgjidhje tjetër veçse ta japë fund kësaj lufte. Amerika mund ta arrijë këtë”, tha presidenti ukrainas.
Zelensky theksoi se komuniteti ndërkombëtar duhet t’i dërgojë Moskës një mesazh të qartë: sulmet ndaj civilëve dhe infrastrukturës nuk do t’i sjellin asnjë dobi.
“Na duhen mesazhe nga komuniteti ndërkombëtar për Rusinë që të bëjnë të qartë se terrorizmi nuk funksionon dhe nuk sjell asnjë dobi”, tha ai.
Presidenti shtoi gjithashtu shqetësimet për vështirësitë me të cilat përballet mbrojtja ajrore e Ukrainës dhe mungesën e sistemeve raketore Patriot, të cilat janë thelbësore për përballimin e sulmeve ruse.
Burimi: www.albeu.com









