Gazetari Parim Olluri ka kritikuar ngjarjet e fundit në Policinë e Kosovës dhe ka theksuar se reformat në këtë institucion duhet të fillojnë me largimin e ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.
Duke folur në emisionin “Pressing”, Olluri ka vlerësuar se zhvillimet e tanishme në polici nuk përbëjnë reformë. Sipas tij, pushteti i shfrytëzon ato për t’i larguar zyrtarët që nuk i konsideron politikisht të afërt dhe për t’i zëvendësuar me persona të vetët.
“Ajo që po ndodh në Policinë e Kosovës nuk ka lidhje me reformën. Nëse do të ishte reformë, personi i parë që duhej të largohej do të ishte Xhelal Sveçla. Nuk mund të bëhet reformë kur personi që është në krye të policisë prej gjashtë vitesh nuk përballet me asnjë masë ndëshkuese”, ka deklaruar Olluri.
Ai ka kritikuar edhe mënyrën si, sipas tij, trajtohet rasti i Arlinda Zekajt. Olluri ka akuzuar pushtetin se e shfrytëzon këtë rast për t’i vendosur njerëzit e vet në pozita dhe për t’i larguar ata që nuk ofrojnë shërbime politike.
“Duke e marrë rastin e Arlinda Zekajt dhe duke e shfrytëzuar në mënyrë kaq poshtëruese për t’i vendosur njerëzit e tu dhe për t’i larguar ata që nuk i kryejnë detyrat partiake, kjo është poshtërsi”, ka thënë Olluri.
Burimi: insajderi.org









