Investimi te futbollistët e rinj
Samir Ujkani, anëtar i Komitetit Ekzekutiv të Federatës së Futbollit të Kosovës, vlerëson se investimi te futbollistët e rinj është thelbësor për ardhmen e futbollit.
Në një intervistë në Baku të Azerbajxhanit, ku u zhvillua edicioni i parë i Kupës së Botës dhe Festivalit FIFA U-15, Ujkani foli për mundësitë që ky event u ofron lojtarëve të rinj për t’u zhvilluar dhe për të shkëmbyer përvoja me bashkëmoshatarë nga vende të tjera.
Ai tha se ishte i kënaqur me pjesëmarrjen e Kosovës dhe me paraqitjen e ekipit gjatë turneut. Sipas tij, organizimi u dha fëmijëve jo vetëm mundësinë për të luajtur futboll, por edhe për t’u njohur me njëri-tjetrin.
Duke iu referuar investimeve të FIFA-s dhe mbështetjes financiare prej 25 milionë dollarësh për secilën federatë anëtare gjatë këtij cikli, Ujkani theksoi se zhvillimi i futbollit fillon në moshat e reja. Çdo ndihmë për lojtarët e rinj, tha ai, është investim në një të ardhme më të ndritur për këtë sport, prandaj shprehu shpresën për më shumë turne të ngjashme.
Ujkani foli edhe për vizionin e FIFA-s që futbolli të jetë i qasshëm për të gjithë. Ish-portieri i Përfaqësueses së Kosovës vlerësoi se ky sport ka aftësinë t’i afrojë njerëzit nga vende dhe kultura të ndryshme, dhe se përpjekjet në këtë drejtim duhet të vazhdojnë.
Turneu dhe rezultatet e Kosovës U-15
Përfaqësuesja e Kosovës U-15 e përfundoi turneun me tri fitore në pesë ndeshjet e fazës së grupeve. Ndër rezultatet më të dukshme u shquan fitorja 2-1 me rimontim ndaj Afrikës së Jugut dhe triumfi 6-1 ndaj Burundit në ditën e fundit të garave.
Turneu në Baku përfundoi më 30 tetor, pasi bashkoi mbi 3.000 futbollistë dhe zyrtarë nga 189 vende. Për 78 prej këtyre vendeve, përfshirë Kosovën, ishte pjesëmarrja e parë në një ngjarje të Kupës së Botës të organizuar nga FIFA.
Edicioni për vajza është planifikuar për vitin 2027. Nga viti 2028, të dy turnetë pritet të zhvillohen çdo vit.
Burimi: www.albeu.com









