Kalo te përmbajtja

Lajme të shpejta, të verifikuara dhe të paanshme

Lajm i fundit
Politikë

Sánchez përgatit paketën e dëmshpërblimit për familjet e viktimave

Sánchez përgatit paketën e dëmshpërblimit për familjet e viktimave
Foto: reporteri.al

Paketa e ndihmës për viktimat

MADRID, 2 nëntor /ATSH-DPA/ – Kryeministri i Spanjës, Pedro Sánchez, njoftoi sot një pako mbështetjeje për viktimat dhe familjet e tyre, pas përplasjes së trenave me shpejtësi të lartë javën e kaluar, ku humbën jetën 69 persona.

Qeveria planifikon ta miratojë këtë pako në mbledhjen e së martës.

Masat e parashikuara përfshijnë pagesa më të shpejta të dëmshpërblimit. Në këtë rast, dëmshpërblimi i parashikuar me ligj për pasagjerët do të dyfishohet. Sánchez premtoi gjithashtu një hetim “të rreptë dhe transparent” mbi shkakun e aksidentit.

Identifikimi i viktimave

Autoritetet rajonale në Castilla-La Mancha njoftuan të hënën se tre nga 69 viktimat e aksidentit, që ndodhi pesë ditë më parë, nuk janë identifikuar ende.

“Pesëdhjetë e katër nga viktimat ishin shtetas spanjollë, ndërsa katër ishin shtetas amerikanë. Viktimat e tjera vinin nga Franca, Kanadaja, Republika Çeke, Japonia, Portugalia, Argjentina, Meksika dhe Tunizia”, sipas autoriteteve.

Nga 39 personat që ende po trajtohen në spital, 11 ndodhen në kujdes intensiv.

Autoritetet deklaruan se dy nga viktimat e paidentifikuara mendohet të jenë nga Australia, ndërsa një tjetër nga Japonia. Të afërmit e tyre janë gjetur dhe duhet të udhëtojnë personalisht drejt Spanjës për identifikimin përfundimtar.

Dy trena me shpejtësi të lartë u përplasën pranë bashkisë së Urdës. Një tren i kompanisë shtetërore hekurudhore “Renfe” goditi nga pas një tren të ndaluar, i cili i përkiste operatorit privat “Iryo”.

Ky ishte aksidenti i dytë i rëndë hekurudhor në Spanjë brenda vetëm nëntë muajve. Në janar, 46 persona humbën jetën kur dy trena me shpejtësi të lartë u përplasën në Adamuz, në rajonin e Andaluzisë. /Ad.Ab./ a.jor.

Burimi: ata.gov.al

Të fundit Të gjitha