Lara Colturi ishte 15 vjeç, kur mosmarrëveshjet me Federatën italiane dhe hapësirat e pakta që i ofroheshin, bënë që familja e saj të pranonte propozimin e Federatës shqiptare të skive. Sot, 5 vjet më pas, ajo rregjistroi fitoren e parë në Kupën e Botës. Po kush është italiania kuqezi që po krenon Shqipërinë?
Prej kohësh ajo shihet si një prej sportistëve me një të ardhme të ndritur në botën e skive. Por Laura Colturi, italiania që garon për Shqipërinë, dhe që vetëm pak ditë më parë festoi 20 vjetorin, tregoi këtë të shtunë se nuk dëshiron të jetë në listën e pritjes, por të imponohet si një kampione e madhe. Fitorja në Slalomin e Austrisë e ngjiti në majën e renditjes së përgjithshme në Kupën e Botës të skive. Të paktën deri në garën e ardhshme, emri i saj do të qëndrojë në vendin e parë.
Kush është Lara Colturi
Por kush është sportistja që po nderon Shqipërinë dhe që ka hapur një dritare në një sport pak të njohur në vendin tonë?
Lara Colturi ka lindur më 15 nëntor 2006 në Torino të Italisë. Ajo u rrit në Piemonte, në një familje të lidhur ngushtë me sportin e skive. Sportistja është vajza e Daniela Ceccarellit, kampiones olimpike e Italisë në Super G në Lojërat Olimpike Dimërore të vitit 2002. Katër vite më pas, Daniela garoi në Olimpiadë teksa ishte shtatzënë me Lara Colturin.
Zgjedhja e Shqipërisë
Shkak u bë sistemi italian i rritjes së talenteve, ndërsa familja e Lara Colturit kërkonte më shumë autonomi. Hapësirën që ia ofroi federata shqiptare e skive, e drejtuar nga presidenti Elvis Toçi.
Për Report TV, ajo do ta përshkruante zgjedhjen e Shqipërisë si një vendim familjar:
“E gjitha ka nisur kur mamaja ime dhe presidenti i federatës së skive Elvis Toçi janë takuar. Kanë vendosur të nisin një rrugëtim së bashku dhe ne vendosëm familjarisht për këtë. E kuptuam se na pëlqente ta ndërmerrnim këtë sfidë dhe jam shumë e lumtur që përfaqësoj Shqipërinë”, tha Colturi në një intervistë për Report TV më 31 tetor 2022.
Ngjitja drejt elitës
Në 2022, Lara garoi për herë të parë me ngjyrat kuqezi. Në atë sezon, u rendit e 78-ta. Në vitin 2023, mori medaljen e artit në Super G në Botërorin e të rinjve, dhe medaljen e bronzit në Slalomin Gjigant. Colturi u bë kampionia më e re e botës për të rinj në Super-G.
Në sezonin pasardhës (2023-2024) nisi ngjitjen drejt elitës. Ajo u rendit e 45-ta në renditjen e përgjithshme, ndërsa mori pjesë rregullisht në të gjitha garat.
“Unë së pari përpiqem të argëtohem sa më shumë dhe të shijoj momentin. Të shohim çfarë rezultati do të kemi. Do të përpiqem të garoj në maksimum në më të mirën time, të bëj atë që po bëj mjaft mirë në stërvitje dhe do të shohim për rezultatin, e ardhmja do na e thotë.”, rrëfen Colturi për Report TV më 13 mars 2024.
Sezoni i hopit të madh
Në sezonin 2024-2025 erdhi hopi i madh. Tre podiumet e para ndodhën konkretisht më 23 nëntor 2024, në Slalomin e Austrisë, ku zuri vendin e dytë. Më 4 janar 2025, vendin e dytë në Slalomin e Sllovenisë, dhe më 8 mars 2025, të tretën në podiumin e Slalomit Gjigant të Are-s në Suedi. Pas përfundimit të sezonit, Lara Colturi ishte në top-10 të botës, duke u renditur e 8-ta.
“Sezoni i fundit ka qenë shumë zbavitës, pasi mora rezultate shumë të mira, që më të vërtetë as nuk i prisja. Kjo ndodhi edhe falë punës së madhe të ekipit tim, ndërsa tani do përpiqem të hedh disa hapa të tjerë”, rrëfen Colturi për Report TV më 18 shtator 2025.
Kërcënimi i largimit
Marrëdhënia sportive e Lara Colturit dhe Shqipërisë kaloi atë vit një tronditje jo të lehtë. Kupa e Botës në ski konsiderohet një sport elitar dhe shpenzimet janë të larta. Në një situatë të tillë, sirenat nga Italia kishin kohë që dëgjoheshin, dhe ekipi i sportistes shqyrtoi mundësinë e rikthimit te përfaqësuesja e kaltër.
“Do të jetë fatkeqësi kombëtare që Lara Colturi të largohet nga Shqipëria. Të kesh një bizhu të kësaj natyre, të këtij kalibri botëror dhe ta lejosh të ikë për pak buxhet. Pak për një komb, por shumë për një federatë të vogël. Ne duhet të koordinojmë punën që Lara Colturi të mbetet shqiptare deri në fund”, tha Elvis Toçi, presidenti i federatës së skive, më 8 janar 2025.
Në fund të prillit 2025, u arrit një marrëveshje që Lara të vazhdonte të garonte për Shqipërinë edhe gjatë sezonit 2025-2026. Familja e saj falënderoi federatën dhe institucionet shqiptare për investimin dhe për autonominë që i kishin dhënë në menaxhimin e karrierës.
Sezoni 2025-2026
Rezultatet e Larës ishin sërish frymëzuese. Ajo, 19-vjeçare, arriti 4 podiume, ndërsa mori pjesë edhe në Olimpiadën Dimërore të Milanos, ku u pozicionua e 16-ta. Shpërthimi i madh ndodhi këtë sezon, dhe jemi ende në fillim të tij.
Burimi: shqiptarja.com










