Analisti Neritan Alibali e ka cilësuar si një shpallje lufte reagimin zyrtar të Bashkisë së Tiranës ndaj deklaratave të kryeministrit Edi Rama gjatë Asamblesë së Partisë Socialiste të Tiranës.
I ftuar në “Review” me Greta Topjanën, Alibali tha se përplasja politike mes palëve pritet të thellohet dhe të shtrihet edhe në Këshillin Bashkiak të Tiranës, ku, sipas tij, ka mbështetës si të Erion Veliajt, ashtu edhe të Edi Ramës.
Një përplasje që pritet të thellohet
“E thashë, është shpallje lufte. Sot është shpallur lufta, sepse, në qoftë se me Elisa Spiropalin unë shoh që mund të ketë një fill bashkëpunimi në të ardhmen, pasi Rama i ka shumë qejf spektaklet e kthimit të bijve plangprishës në sofrën e familjes, me Erion Veliajn dhe strukturat e Bashkisë së Tiranës, për mendimin tim, kjo është shpallje lufte. Lufta ka për të shkuar shumë thellë. Ajo do të pasqyrohet deri në Këshillin Bashkiak, sepse në Këshillin Bashkiak ka si anëtarë mbështetës të Erion Veliajt, ashtu edhe mbështetës të Edi Ramës. Unë mendoj që Edi Rama ka për ta mposhtur Bashkinë e Tiranës dhe ka për ta mposhtur Erion Veliajn, sepse Erion Veliaj ka një betejë për mbrojtjen e vet përballë drejtësisë dhe ka një betejë politike. Ai po e përdor patjetër luftën politike edhe si një instrument për të arritur sa më shumë që mundet përballë drejtësisë”, tha Alibali.
Burimi: euronews.al










