Kalo te përmbajtja

Lajme të shpejta, të verifikuara dhe të paanshme

Lajm i fundit
Të ndryshme

Gështenja nga Tropoja, produkti që po shkon në tregjet e huaja

Gështenja nga Tropoja, produkti që po shkon në tregjet e huaja
Foto: abcnews.al

Tupanat dëgjohen që në hyrje të sheshit. Vajzat e Tropojës sjellin vallen tradicionale, ndërsa stendat mbushen me prodhimin që çdo vjeshtë i kushton kësaj zone një festë të veçantë. Është festa e Gështenjës, ku për një ditë në qendër të vëmendjes janë fermerët, përpunuesit, gatimet dhe tradita e një prej produkteve më të njohura të Tropojës.

Gështenja si burim ekonomik

Përtej atmosferës festive, kjo është edhe një mundësi për të prezantuar një produkt që ka rëndësi për ekonominë e shumë familjeve të zonës. Gështenja e Tropojës vlerësohet për veçoritë e saj, ndërsa prodhuesit dhe përpunuesit tregojnë se çfarë e bën të ndryshme nga ajo që kultivohet në vende të tjera.

Në panair, gështenja nuk shfaqet vetëm si frut i freskët. Ajo ka hyrë edhe në kuzhinë, në receta që i japin një tjetër përdorim këtij produkti. Ajshe Cakaj, kuzhiniere në Bajram Curr, e ka përfshirë prej vitesh në gatimet e saj.

Kënga, vallja dhe tradita

Por festa e Gështenjës nuk është vetëm panair dhe produkte. Këtu tradita shfaqet edhe përmes këngës dhe valles, që janë pjesë e pandashme e festimeve në Tropojë. Klara Sukaj është një prej vajzave që ngjitet në skenë për të kërcyer, ndërsa këngën e ka një tjetër pasion.

Pyjet dhe burimet e tjera

Në stendat e panairit, krahas gështenjës, janë ekspozuar edhe nënproduktet e saj, mjalti dhe gatime të ndryshme tradicionale. Një prezantim i asaj që ofrojnë pyjet e Tropojës, ku përveç gështenjës, një potencial të rëndësishëm përbëjnë edhe frutat e tjera të egra dhe bimët medicinale. Kryetari i Bashkisë Tropojë, Rexhë Biberaj, thotë se këto burime, së bashku me turizmin, mund të luajnë një rol të rëndësishëm në zhvillimin ekonomik të zonës.

Tregu përtej kufijve

Gështenja e Tropojës tashmë ka kaluar kufijtë e tregut vendas. Një pjesë e konsiderueshme e prodhimit eksportohet në vende të Europës dhe më gjerë. Sipërmarrësit kanë ngritur pika grumbullimi dhe përpunimi, duke krijuar mundësi që produkti të tregtohet edhe në forma të tjera, përtej frutit të papërpunuar./abcnews.al

Burimi: abcnews.al

Të fundit Të gjitha