Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, ka thënë përmes një postimi në Facebook se deponia regjionale e mbeturinave në Sferkë të Pejës po digjet për herë të dytë, dhe ka ndarë edhe pamje nga zjarri.
Banorët e fshatrave përreth ngulfaten nga tymi
Bajrami ka shkruar se banorët e Sferkës, Llutogllavës, Trestenikut, Ruhotit, Nabërgjanit dhe fshatrave përreth po ngulfaten nga tymi, i cili po përhapet edhe më larg. Sipas saj, njerëzit po detyrohen t’i mbajnë dyert dhe dritaret mbyllura, dhe janë tepër të shqetësuar për shëndetin e tyre dhe të fëmijëve.
Thirrje për shtetin dhe mbylljen e deponisë
Deputetja ka theksuar se kjo është deponi regjionale dhe jo vetëm e Komunës së Pejës, prandaj ajo nuk mund ta përballojë vetëm këtë situatë. Ajo ka pyetur ku janë Qeveria, Agjencia për Menaxhimin e Emergjencave dhe Inspektorati Mjedisor, dhe ka thirrur Qeverinë që menjëherë të angazhojë Forcën e Sigurisë së Kosovës, Agjencinë për Menaxhimin e Emergjencave dhe çdo institucion tjetër që mund të ndihmojë në shuarjen e zjarrit.
Bajrami ka kërkuar gjithashtu që deponia të mbyllet, duke kërkuar që Inspektorati Mjedisor të dalë menjëherë në terren, të konstatojë shkallën e ndotjes dhe të marrë masa urgjente për ndalimin e funksionimit të deponisë, pasi sipas saj nuk plotësohet asnjë nga kushtet ligjore për mbrojtjen e mjedisit.
Burimi: www.gazetaexpress.com










