Sipas “Defensa Central”, Real Madridi ka përgatitur raporte të detajuara skautimi për tre mesfushorë të rinj, të cilët mund të jenë objektiva të klubit për të ardhmen.
Në fakt, klubi madrilen ka monitoruar dhe përgatitur raporte të hollësishme për ish-talentin e akademisë së tij, Nico Paz, i cili aktualisht luan te Como, si dhe për yllin e Crystal Palace, Adam Wharton, dhe talentin 18-vjeçar të Bayern Munichut, Lennart Karl.
Kjo nuk do të thotë se Real Madridi po përgatit oferta konkrete për transferimin e tyre në afatin e ardhshëm kalimtar.
Përkundrazi, klubi po mbledh informacione për futbollistë që mund të bëhen objektiva të rëndësishëm në sezonet e ardhshme.
Nico Paz, prioriteti kryesor
Sipas raportimit, Nico Paz është prioriteti absolut i Real Madridit. Klubi madrilen ka një klauzolë riblerjeje prej 80 milionë eurosh për argjentinasin, e cila mund të aktivizohet verën e ardhshme.

Te Real Madridi janë impresionuar nga zhvillimi dhe shkathtësia e tij që prej largimit drejt Comos në vitin 2024.
Klubi spanjoll e sheh 22-vjeçarin si një futbollist që mund të luajë si mesfushor ofensiv apo në krahun e djathtë të sulmit.
Gjithashtu, në situata të caktuara, ai konsiderohet edhe si alternativë në një dyshe të mesfushës, kur skuadrës i nevojitet më shumë kreativitet.
Për këtë arsye, Real Madridi është i hapur për rikthimin e talentit të dalë nga akademia “La Fabrica” verën e ardhshme, por vendimtare do të jetë edhe dëshira e vetë futbollistit.
Nico Paz kërkon garanci se do të ketë minuta të rregullta në “Santiago Bernabeu” në rast se vendos të rikthehet te gjiganti spanjoll.
Alternativat Karl dhe Wharton
Megjithëse argjentinasi është objektivi kryesor, Real Madridi nuk i ka përjashtuar as alternativat e tjera. Lennart Karl (18) dhe Adam Wharton (22) vazhdojnë të jenë nën vëzhgimin e klubit, ndonëse kanë karakteristika të ndryshme nga Nico Paz.
Të dy futbollistët janë në radarin e madrilenëve prej një kohe, ndërsa Karl madje ka deklaruar publikisht se Real Madridi është klubi i ëndrrave të tij.

Megjithatë, transferimi i tyre nuk do të ishte aspak i lehtë, pasi Karl është nën kontratë me Bayern Munichun, ndërsa Wharton me Crystal Palace, deri në verën e vitit 2029.

Për momentin, Real Madridi është vetëm në fazën e monitorimit të disa futbollistëve, përpara se të vendosë për objektivin konkret dhe momentin kur do të ndërmarrë hapa për transferimin e tij./GazetaExpress/
Burimi: www.gazetaexpress.com









